Lidhje

Stavridis: Ballkani po ecën drejt stabilitetit dhe integrimit të plotë në NATO

  • Jela Françeski

Stavridis: Ballkani po ecën drejt stabilitetit dhe integrimit të plotë në NATO

Stavridis: Ballkani po ecën drejt stabilitetit dhe integrimit të plotë në NATO

Gjendja në Ballkan ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë nga ajo që ishte para 10-15 vjetësh. Nga lufta në Bosnjë, Kosovë dhe mbi një milion e gjysëm të zhvendosur e rreth 100 mijë të vrarë, tani vendet e rajonit të Ballkanit kanë bërë mjaft përparim. Admirali amerikan Xhejms Stavridis, komandant i Komandës Amerikane në Evropë dhe Komandant Suprem i Aleancës së Natos në Evropë, thotë se megjithëse ka ende tensione, rajoni duket se po ecën drejt stabilitetit dhe integrimit të plotë në NATO.

Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të Natos dhe kjo ishte e paimagjinueshme para 10-15 vjetësh, thotë Admirali amerikan Xhejms Stavridis. Tani nuk mund të bëhen më hapa pas.

“Unë do të thosha që gjendja në përgjithësi në Ballkan mbetet në një fazë ku ne nuk mund të kthehemi tek situata që ishte para 10-15 vjetësh, por a ka ende tensione sot? Sigurisht që ka.”

Zoti Stavridis thotë se duhen krijuar kushtet ku vendet që duan të anëtarësohen në Nato të kenë mundësinë të ecin përpara. Por në të njëjtën kohë, u duhet kushtuar vëmendje tensioneve në të gjithë rajonin. Admirali amerikan thekson se siguria në Kosovë është përmirësuar, dhe kjo është pasqyruar tek pakësimi i trupave të Kforit.

“Jam i bindur se do të jem në gjendje të vazhdojë pakësimin e trupave në Kosovë nga 9 mijë në rreth 5 mijë gjatë muajve të ardhshëm. Pra unë shoh përparim.”

Zoti Stavridis ndjehet optimist se edhe problemet që ekzistojnë tani në rajon si kontrabanda, trafiku i qenieve njerëzore, narkotikëve etj. do të arrijnë të zgjidhen përmes një bashkëpunimi më të mirë rajonal.

“Ndjehem i inkurajuar nga mesazhet që marr nga Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se këto dy vende do të përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë përmes dialogut. Ky është pikërisht mesazhi që mora kur vizitova Beogradin.”

Disa nga vendet e Ballkanit po japin kontributin e tyre tashmë në misionin e Natos në Afganistan. Admirali Stavridis thotë se përvoja që sjellin forcat ushtarake të vendeve të rajonit në mision është shumë e vlefshme.

“Mendoj se janë forca ushatarake efikase. Dhe e them këtë edhe për sa i përket spektrit fetar të besimeve të përfshira. Shohim punë shumë të mirë nga myslimanët e rajonit, si shqiptarët, për shembull, por edhe nga jomyslimanët, si kroatët. Kontributi që japin ata është shumë i rëndësishëm.”

Admirali Stavridis flet edhe për ecurinë pozitive të Shqipërisë si anëtare e re e Natos.

“Unë sapo përfundova një vizitë shumë të mirë në Tiranë ku kisha rastin të mësoja më shumë për kulturën ilire, për të cilën shqiptarët janë shumë krenarë. Kjo kulturë ka një karakter shumë të veçantë ushtarak, dhe ushtarët shqiptarë e zbatojnë atë me krenari. Ata po bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë për ne në Afganistan ku kanë disa qindra trupa.”

Zoti Stavridis thotë se është shumë i kënaqur nga entuziazmi që sheh në vende si Shqipëria dhe Kroacia për Naton. Ai thotë se dy vendet janë shembull i mirë i përparimit të bërë në Ballkan, dhe shpreson që shembulli i tyre të ndiqet edhe nga vendet e tjera. Ai thotë se Natoja është aleanca që mund të nxisë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit për të krijuar stabilitetin afatgjatë.

XS
SM
MD
LG