Lidhje

Nënsekretari i Shtetit Stajnberg mbi vizitën e Sekretares Klinton në Ballkan

  • Glen Kejts

Nënsekretari i Shtetit Stajnberg mbi vizitën e Sekretares Klinton në Ballkan

Nënsekretari i Shtetit Stajnberg mbi vizitën e Sekretares Klinton në Ballkan

Të hënën Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton fillon një turne në Ballkanin perëndimor me ndalesa në Bosnje, Serbi dhe Kosovë. Duke folur për Zërin e Amerikës mbi qëllimet e kësaj vizite, nën sekretari i shtetit James Steinberg tha se sekretarja Klinton synon të ritheksojë interesat dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një të ardhme pozitive për të gjithë popujt e Ballkanit perëndimor. Zoti Steinberg tha se ka sinjale të forta se Beogradi është gati të fillojë dialogun me Kosovën, megjithë kundërshtimin për sstatusin. Me zotin Steinberg bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës Glen Kates.

Zëri i Amerikës: Sekretarja e Shtetit Klinton do të shkojë në Bosnje, Serbi dhe Kosovë javën e ardhshme, cilat janë synimet e kësaj vizite?

James Steinberg: Synimet janë të qarta. Sekretarja Klinton synon të ritheksojë interesat dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një të ardhme pozitive për të gjithë popujt e Ballkanit perëndimor, ta bëjë të qartë se ne do të punojmë me ta për të realizuar aspirartat e tyre për një të ardhme evropiane dhe transatlantike, se ne jemi partnerë, kemi të interesa të përbashkëta, por po ashtu ta bëjë të qartë se edhe këto vende duhet të bëjnë disa zgjedhje, të marrin vendimet e duhura për të patur një të ardhme të tillë për popujt e tyre.

Zëri i Amerikës: Ju thoni që këto vende duhet të marrin vendimet e duhura. Nën presidenti Bajden ishe ne Bosnje para një viti e gjysmë dhe gjatë një fjalimi në parlamentin e Bosnjes ai bëri një paralajmërim, duke thënë se ndjekja e interesave të ngushtë etnikë nacionalistë, në vend të atyre kombëtarë mund të çojë në kaos etnik. Të djelën në Bosnje u zhvilluan zgjedhje që u dominuan kryesisht nga partitë nacionaliste. Cila është e ardhmja e Bosnjes?

James Steinberg: Nuk mendoj se karakterizimi juaj është i drejtë për rezultatet e zgjedhjeve në Bosnje. Kemi parë edhe shumë prirje pozitive në to, pa hyrë në detaje. Sido që të jetë, ky është një moment mundësish, qevria e re që do të krijohet, ka një mundësi që forcat përparimtare në Bosnje të shikojnë drejt së ardhmes, dhe ta shfrytëzojnçë procesin e formit të qeverisë për të ndërtuar ura, për të ndërtuar në strategji gjithë përfshirëse drejt së ardhmes. Ne do t’i inkurajonim të gjitha partitë tani të mendojnë për këto gjera.

Zëri i Amerikës: Çfarë shpresoni se zonja Klinton do të arrijë nga vizita që do të bëjë në Beograd dhe në Prishtinë?

James Steinberg: Mendoj se janë disa mesazhe që ajo do të përcjellë gjatë këtij turneu. Së pari se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm integrimin e Serbisë në Europë. Mendoj se kjo është pjesë e natyrshme e së ardhmes së Serbisë, është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Ajo do të vlerësojë vendimet që ka marrë Presidenti Tadiç për t’i hapur rrugën ndoshta një numri diskutimesh më produktive me Prishtinën në të ardhmen dhe për të sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të punojnë me Serbinë si dhe me vendet e tjera në rajon për këtë projekt. Po ashtu në Kosovë, zonja Klinton do të riafirmojë angazhimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit, diçka që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh. Por ajo do të theksojë gjithashtu punën me udhëheqësit në Prishtinë për të patur një shoqëri gjithpërfshirëse, tolerante dhe që i respekton nevojat dhe interesat e pakicës serbe, si dhe për të punuar në rrugë praktike me Beogradin për të kapërcyer disa nga sfidat afatshkurtra.

Zëri i Amerikës: Presidenti Tadiç ka thënë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si vend i pavarur. A është kjo diçka për të cilën Uashingtoni dhe Beogradi mund të vazhdojnë të pajtohen për të mos u pajtuar rreth kësaj?

James Steinberg: Natyrisht ne e kemi njohur Kosovën dhe mendojmë se ky është një fakt i jetës ndërkombëtare që është përforcuar nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është diçka që do të duhet të zgjidhet në vështrimin afatgjatë por ndërkohë ka shumë vendime të rëndësishme që udhëheqësit si në Beograd edhe në Prishtinë mund të marrin për çështje të tilla si doganat, telekomunikacionet e të tjera që do të përmirësonin jetën e të gjithë njerëzve në rajon. Ne dëshirojmë që ata të përqendrohen në këto çështje, mendojmë se është e nevojshme që ata të angazhohen për këto gjëra dhe mendojmë se me kalimin e kohës kjo do të çojë në një zgjidhje që përputhet me sovranitetin dhe integritetin e kosovarëve që e lejon Serbinë ta pranojë këtë realitet.

Zëri i Amerikës: Mendoni se do të ketë ndonjë hap konkret që do të ndërmerret gjatë vizitës apo në të ardhmen? Çfarë shpresoni se do të dalë nga bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës?

James Steinberg: Mendoj se ka rëndësi që ky dialog të fillojë. Pra ne do të dëshironim të shihnim që ata do të fillojnë të angazhohen dhe të kuptojnë se nuk fiton shumë duke u përqendruar tani te çështjet e statusit duke patur parasysh diferencat që ekzistojnë. Gjithashtu ka patur sinjale të forta nga Serbia se ata janë gati ta bëjnë këtë çka ne e mirëpresim.

Zëri i Amerikës: A ka lidhje kjo me faktin që vizita bëhet kaq shpejt pas opinionit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë? A shikon ajo një rast real këtu?

James Steinberg: Mendoj se atmosfera është e mirë por arsyeja që ajo po shkon është se ajo ka dashur prej kohe ta bëjë këtë vizitë. Ajo është personalisht e interesuar për rajonin, ka qenë atje shumë herë më parë dhe priste rastin t’i vizitonte këto vende dhe kjo kohë është e përshtatshme për këtë qëllim.

Zëri i Amerikës: Çfarë hapash mund të ndërmerren për të garantuar se të drejtat e serbëve në veri të Kosovës do të mbrohen?

James Steinberg: Kjo është një nga bisedat që ajo do të ketë me udhëheqjen në Prishtinë. Ne e kemi të qartë se kjo është një pjesë e rëndësishme në ndërtimin e besimit mes popujve dhe vjen paralelisht me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës si një përgjegjësi për t’ju përgjigjur nevojave dhe shqetësimeve të të gjithëve.

Zëri i Amerikës: Përse Sekretarja nuk do të ndalojë edhe në Shkup e Tiranë?

James Steinberg: Numri i vendeve për të shkuar është i madh, por koha nuk premton. Sekretarja ka shumë përgjegjësi të tjera, ajo është e angazhuar me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, me formimin e qeverisë në Irak, me problemet në Afganistan e Pakistan. Do të ketë mundësi të tjera për të vizituar këto vende. Shtetet e Bashkuara i kushtojnë vëmendje gjithë vendeve të rajonit. Unë kam qënë në Ballkanin perëndimor 7 herë që kur u bërë Zv/sekretar i Shtetit. Shpresoj që popujt e këtyre vendeve e dinë se ne jemi të angazhuar në çështjet e tyre. Sekretarja do të flasë për ta gjatë turneut të saj.

Zëri i Amerikës: Çështja e emrit të Maqedonisë. Çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara që Maqedonia dhe Greqia të zgjidhin çështjen e emrit mes tyre ?

James Steinberg: Ne mbështesim punën e ambasadorit Nimic dhe procesin e OKB-së. Ne ua kemi bërë të qartë si Athinës edhe Shkupit se ne i inkurajojmë këto vende të gjejnë një zgjidhje pasi do të ketë përfitime të mëdha për të dyja. Ne vlerësojmë mbështetjen e fortë të kryeministrit Papanderu për integrimin e Ballkanit perëndimor në strukturat euroatlantike dhe shpresojmë që Greqia dhe Maqedonia të gjejnë një zgjidhje praktike sa më shpejt që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG