Lidhje

SHBA: Uragani i parë i sezonit 2010 në Atlantik godet tokën në Meksikën verilindore

  • Zëri Amerikës

Metereologët në Shtetet e Bashkuara thonë se uragani i parë i sezonit 2010 në Atlantik goditi tokën në Meksikën verilindore.

Qendra Kombëtare e Uraganeve në Majemi njoftoi se uragani Aleks – me errëra deri në 170 kilometra në orë, goditi tokën mbrëmë vonë, në jug të kufirit mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.

Dje gjatë ditës, uragani Aleks u intensifikua në Gjirin e Meksikës, duke penguar përpjekjet e pastrimit nga nafta si pasojë e rrjedhjes së pusit që prej 20 prillit, megjithëse stuhia ishte shumë larg pusit të dëmtuar të kompanisë BP.

Një zëdhënës i ekipit që merret me operacionet e pastrimit të naftës tha se dallgët në Gjirin e Meksikës ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të vazhdoheshin operacionet e pastrimit. Por admirali i Rojes Bregdetare, Thad Allen tha se pret që kushtet të përmirësohen.

Admirali Allen tha se deri në 60 mijë fuçi nafte në ditë rrjedhin çdo ditë nga pusi i dëmtuar. Ai tha se grumbullimi i naftës ka vazhduar, por ujërat e turbullta kanë shkaktuar shtyrjen e instalimit të një anijeje të tretë për grumbullimin e naftës, e cila mund të dyfishojë sasinë e naftës së grumbulluar çdo ditë.

XS
SM
MD
LG