Lidhje

Studentët amerikanë të pasigurt për të ardhmen

  • Zëri Amerikës

Borxhi që marrin studentët për të paguar shkollën ka arritur shifrën e përgjithshme 1 trilion dollarë. Përmes protestave studentët po tërheqin vëmendjen për pasojat afatgjata financiare dhe shoqërore për ta dhe familjet e tyre. Ndërsa papunësia në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë mbi 8 për qind, studentët që diplomohen largohen nga shkolla të pasigurt për të ardhmen. Në të njëjtën situatë janë edhe disa studentë të Universiteti Amerikan në Uashington:

Kate Duffy është studente artesh në Universitetin Amerikan. Ajo diplomohet pas se një muaji.

“Mendoj se është një ndjesi e hidhur dhe e lumtur njëkohësisht. Nervozohem kur mendoj se kemi pasur rehatin e shkollës dhe miqve gjatë katër vjetëve dhe tani na duhet të përballemi me botën reale”.

Shoqja e Duffy-t Angela Miller po ashtu është në prag të diplomimit. Të dyja shpresojnë që ta bëjnë karrierën në muzikë dhe dramë. Por prioriteti kryesor është që të gjejnë çdo lloj pune. Ato e kanë paguar shkollën me hua studentore në një nga universitetet më të shtrenjta në vend. Dhe kur të diplomohen secila prej tyre do të ketë një borxh afro 200 mijë dollarësh.

“Është çmenduri dhe nuk më duket se e kam menduar akoma se ç’do të thotë. Dhe nuk besoj se do jem në gjendje ta kuptoj derisa të marr faturat e para”.

Fakulteti i biznesit i universitetit organizon aktivitete me modele intervistash dhe lidhje profesionale për studentët, për t’i ndihmuar që të përmirësojnë aftësitë për të aplikuar për punë. Por zëvendës dekani Lawrence Ward thotë se një program universitar nuk është krijuar në formë të tillë që thjesht t’u gjejë studentëve punë.

“Unë përpiqem t’i përgatis studentët për të përballuar jetën. Është një investim. Dhe është një investim që ndoshta nuk të bën të gjesh punë sapo diplomohesh, por ata do të kenë aftësitë e duhura dhe njohuritë që t’u shërbejnë për gjithë jetën”.

Studentja e degës së biznesit Alexandra Golomb është dakord.

“Sipas mendimit tim, një nga vlerat e mia është arsimi dhe unë nuk e shoh domosdoshmërisht të lidhur me punën. Përvoja ime në Universitetin Amerikan ka qenë për më shumë sesa për të gjetur një punë”.

Nga ana tjetër Paul Oehler, drejtori i programit të teknologjisë së zërit në universitet, ka një tjetër mendim. Ai do që çdo i diplomuar të punojë.

“Unë përpiqem të gjej punë për çdo të diplomuar dhe nuk ndalem derisa secili të ketë një punë. Ata kanë shpenzuar shumë për të bërë këtë shkollë dhe unë e ndjej si përgjegjësinë time që të sigurohem që ata të ndjekin rrugën e duhur”.

Dara Hirsch është një nga studentët e Oehler. Ajo thjesht do një punë, çfarëdolloj pune.

“Shumë nga shokët e mi kanë nga katër-pesë punë. E di që do të me duhet të bëj shumë lloj punësh që të mund të gjej një ekuilibër dhe të mos bëj punë që nuk kanë lidhje me muzikën dhe kështu bëhet karriera jote”.

Në Departamentin e Dramës dhe Arteve, Kate Duffy thotë se ka në plan të qëndrojë në Uashington pas diplomimit me shpresën që të gjejë një punë që t’i pëlqejë.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është të kujtojmë që çfarëdo që të bëjmë, duhet të jemi të lumtur dhe ky duhet të jetë qëllimi kryesor dhe nëse e ndjekim çdo gjë do të jetë në rregull”.

Ndërkohë, Duffy thotë se do të shijojë çdo moment që i ka mbetur nga universiteti para se të përballet me realitetin.

XS
SM
MD
LG