Lidhje

Samërs: Udhëheqësit botërorë do të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen monetare

  • Xhejson Strother
  • Seul

Samërs: Udhëheqësit botërorë do të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen monetare

Samërs: Udhëheqësit botërorë do të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen monetare

Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë mendon se udhëheqësit botërorë do të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen monetare këtë javë në Korenë e Jugut. Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha botërore kanë në plan të diskutojnë vlerën e këmbimit monetar dhe deficitin tregtar në takimin e Grupit të 20-es.

Disa ekonomistë thonë se lufta monetare globale mund të ketë filluar, ndërsa qeveritë përpiqen të dobësojnë monedhat e vendeve të tyre për të rritur eksportet.

Në krye të kësaj beteje janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni akuzon Pekinin se e mban vlerën e monedhës të ulët për të nxitur eksportet dhe për të mos lejuar rritjen e konsumit të brendshëm.

Kina nga ana tjetër, thotë se nuk është fajtore për deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara dhe se është zemëruar nga dobësimi i dollarit amerikan.

Lorens Samërs, kreu i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë, thotë se këtë javë mund të bëhet përparim në zgjidhjen e këtij problemi gjatë takimit të G20-ës në Seul.

Zoti Samërs tha të martën se të gjitha vendet e G20-ës kanë interes të balancojnë ekonominë globale, veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se edhe Kina do të përfitojë nëse e lejon monedhën e saj të rritet në vlerë.

“Kina ka një mundësi të jashtëzakonshme të ndajë përfitimet e begatisë së saj me popullin e vet, sidomos në një kohë kur sasia e të ardhurave që harxhohen për konsum në Kinë ka rënë. Kjo i jep mundësi Kinës të mbështetet tek kërkesa e brendshme për të nxitur shpenzimet e konsumatorëve dhe për t’i dhënë mundësi popullit të vet të shijojë frytet e begatisë së vendit.”

Zoti Samërs i bëri komentet nga Uashingtoni gjatë një video-konference të Shoqatës Globale Aziatike në Seul. Ai nuk tha se çfarë vendimi do të arrijnë udhëheqësit botërorë gjatë takimit dy-ditor i cili fillon të enjten. Por ai thotë se një marrëveshje do të arrihet pa dyshim.

“Mendoj se po arrijmë një konsensus që do të çojë drejt ndryshimeve të nevojshme. Jam i bindur se do të arrihet një rezultat i kënaqshëm.”

Krerët e 20 ekonomive më të mëdha shpresojnë të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën se si mund të shmangin luftën tregtare dhe monetare dhe të nxisin rritjen e ekonomisë globale. Kina e ka bërë të qartë se mendon që veprimi i fundit i Rezervës Federale Amerikane për të hedhur para në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara është i dëmshëm për vendet e tjera dhe nuk do ta ndihmojë ekonominë amerikane.

XS
SM
MD
LG