Lidhje

Zvicër, një kapsulë për dixhitalizimin e informacionit

  • Zëri Amerikës

Në Alpet zvicerane, brenda një bunkeri të fshehtë ruhet një kapsulë dixhitale me informacionet për teknologjitë e brezit të sotëm. Qëllimi është që ato t’u transmetohen brezave të ardhshëm, që ata të kuptojnë teknologjitë dhe kulturën tonë dixhitale.

Malet piktoreske të Zvicrës u ngjajnë shumë pak piramidave të Egjiptit të Lashtë, por pikërisht këtu po bëhen përpjekje për krijimin e një arkive të epokës dixhitale, nga e cila brezat e ardhshëm do të mund të mësojnë po ashtu siç përpiqemi ne sot të mësojmë për brezat e shkuar nëpërmjet piramidave.

Dimensionet e kapsulës janë modeste por ajo mund të ndihmojë një ditë që njerëzimi t’i përgjigjet pyetjeve rreth teknologjive të sotme, pra rreth kulturës sonë dixhitale.

Kjo kapsulë kohe e genomit dixhital është rezultat i një pune 4 vjeçare, i një projekti me emrin Planets që ka kushtuar 15 milion euro dhe ku kanë marrë pjesë 16 universitete europiane.

Një rol kryesor ka luajtur shefi i teknologjisdë dixhitale në Bibliotekën Britanike, Adam Farquhar.

"Informacioni dixhital na ve përballë problemesh që janë krejt të reja. Një problem është vjetërimi i shpejtë i mjeteve të regjistrimit, siç janë kompjuterat.”

Kapsula do të mbushet me disqe dhe mjete të tjera për regjistrimin e informacionit ku do të jenë depozituar të njëjtat dokumente elektronike. Aty do të futet pastaj literatura përkatëse që do t’i ndihmojë historianët e së ardhmes të kuptojnë se si funksionojnë këto mekanizma. Kapsula do të merret dhe do të depozitohet në një vend mjaft të sigurt.

Ky është një bunker i ndërtuar nga ushtria zvicerane në vitet 60 për mbrojtjen nga bomba atomike ndërsa sot është pronë e Bankës Zvicerane për Asetet Dixhitale.

Christoph Oschwald, themelues i këtij projekti tregon:

"Ky bunker është një objekt me rrezik zero. Pra, ai nuk mund të dëmtohet nga përmbytjet, tërmeti, aktet terroriste apo nga vjedhjet. Është vendi më i sigurt. Puna që bëjmë ne është të sigurojmë mirë të dhënat elektronike."

Andreas Rauber është profesor në Universitetin e Vjenës për Teknologjinë dhe një nga njerëzit e besuar për të bërë depozitimin e materialit në kapsulë. Në vitin 2009, vlerësohet se u krijuan mbi 100 gigabyte të dhëna për çdo njeri në planet, që do të kërkonin 1 trilion CD për t’u regjistruar. Rauber thotë se të marrësh masa sot që dokumentet elektronike të mund të përdoren nga brezi i ardhshëm, kjo nuk është thjesht punë e arkivistëve apo e punonjësve të bibliotekave.

"Mendoj se jemi në një situatë të ngjashme me pak vite më parë kur na u desh të krijonim kopje të materialeve tona elektronike. Sepse në atë kohë njerëzit nuk e kishin zakon të mbanin kopje por e kuptuan këtë kur filluan të humbasin dokumentet në kompjuter."

I gjithë informacioni që do të depozitohet në kapsulë për teknologjitë e regjistrimit do të bëhet publik përmes internetit, pra njerëzit e interesuar nuk ka nevojë të shkojnë në malet e Zvicrës për të dekoduar mjetet e dixhitalizimit që përdoren në ditët tona.

XS
SM
MD
LG