Lidhje

Udhëheqësit evropianë po rishikojnë kushtet e ndihmave për Greqinë

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit evropianë po rishikojnë kushtet e ndihmave për Greqinë

Udhëheqësit evropianë po rishikojnë kushtet e ndihmave për Greqinë

Udhëheqësit evropianë po hezitojnë lidhur me kushtet e këstit të dytë të ndihmave për Greqinë e zhytur në borxhe, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare të këtij vendi. Një nga udhëheqësit kryesorë evropianë të financave, Kryeministri i Luksemburgut, Xhan Klod Junker, u shpreh sot se kreditorët privatë do të kenë humbje më të mëdha nga huatë që i japin Greqisë në kuadrin e shumës prej 211 miliardë dollarësh të miratuara në muajin korrik, që ju shtuan ndihmës ndërkombëtare të vitit të kaluar prej 159 miliardë dollarësh.

Bankat private fillimisht u tha se do kishin një humbje prej 21 për qind nga investimet e tyre për Greqinë, por disa analistë thonë se kjo shifër mund të arrijë deri në 50 për qind. Ndërkohë, ministrat e financës të Eurozonës e shtynë vendimin që duhej të merrnin për t’i dhënë Greqisë një tjetër këst prej 11 miliardë dollarësh nga paketa e ndihmave e vitit të kaluar, pasi Athina pranoi këtë javë se nuk do të jetë në gjendje të paguajë deficitin për të cilin kishte rënë dakord me kreditorët ndërkombëtarë.

Ministrat evropianë të Financave u takuan sot në Luksemburg, ndërkohë që në Greqi përkeqësohet kriza e borxheve dhe rritja e mosbesimit për programin e ndihmave evropiane vazhdoi të ndjehet në tregjet e aksioneve. Aksionet në Bankën franko-belgjane Deksia shënuan sot rekordin më të ulët. Ministri suedez i financave Anders Borg tha se ishte e nevojshme që vendet e Eurozonës të ristrukutonin programin e ndihmave për Greqinë dhe të përqëndroheshin në gjetjen e mënyrave për të ndaluar përhapjen e krizës në vende të tjera të Eurozonës.

“Mendoj se është e qartë që ekziston rreziku që programi i ndihmave për Greqinë të dalë jashtë kontrollit. Nuk e kemi parë ende raportin e Troikës, por ekziston një rrezik i madh që kriza greke të përhapet,” - tha ministri suedez Borg.

Banka franko-gjermane Dexia ishte banka më e fundit evropiane që po vuan pasojat e krizës greke. Aksionet e kësaj banke ranë sot në mëngjes 37,7 për qind. Ministri belg i Financave tha se qeveria e tij do ta ndihmojë bankën Dexa, në se është e nevojshme. Anëtarët e Bordit të Bankës zhvilluan një takim emergjence që filloi mbrëmë dhe vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe arritën në përfundimin se shefi ekzekutiv i Bankës, Pierre Mariani ka marrë masa për të zgjidhur problemet strukturore, të cilat po dëmtonin operacionet e bankës.

Ndërkohë, në Greqi, protestuesit bllokuan sot hyrjet në Ministrinë e Financave, si dhe të ministrive të tjera, për të shprehur shqetësimin e tyre për sigurinë e vendeve të punës dhe shkurtimin e pagave. Greqia pret të marrë një sasi ndihmash prej 110 miliardë Eurosh nga vendet e Eurozonës dhe nga Fondi Monetar ndërkombëtar për të paguar borxhin. Ministrat e Financave të Eurozonës lanë të kuptohet se Greqia do të marrë një hua për të shmangur rrezikun e mospagimit të borxhit, edhe pse Athina tha se nuk do të jetë e aftë të plotësojë objektivin e deficitit buxhetor.

XS
SM
MD
LG