Lidhje

Qindra të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni


Qindra të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni
Qindra të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Japoni

Qindra vetë kanë gjetur vdekjen nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Japoninë në 100 vjetët e fundit. Tërmeti shkaktoi dëme masive dhe mendohet se numri i të vdekurve është shumë më i lartë.

Shteti amerikan i Havait u godit nga valë cunami, si rezultat i tërmetit. Shumë nga qendrat turistike bregdetare në plazhin Waikiki u mbuluan nga dallgët. Ujë me lartësi deri në 1 metër u regjistrua në ishujt Oahu dhe Kauai, por nuk ka ende njoftime për dëme të mundshme.

Presidenti Obama, i lindur në Havai, përmes një deklarate shprehu ngushëllimet e tij në adresë të familjeve të afektuara në Japoni dhe ka udhëzuar Agjencinë Federale të Menazhimit të Emergjencave që të ndihmojnë banorët e Havait dhe territoreve të tjera amerikane në Paqësor.

Japonia, e cila ndodhej më pranë epiqendrës së tërmetit, po përpiqet të përllogarisë tani dëmet në njerëz e materiale. Ekipet e specializuara po përpiqen të shuajnë zjarret që shpërthyen nga tronditjet sizmike, ndërkohë që ka pasur masa emergjente në objektet bërthamore të vendit për të parandaluar rrjedhje radioaktive.

Paralajmërimet për cunami u përhapën në gjithë rajonin e Paqësorit deri në Amerikën e Jugut, Kanada, Alaskë dhe në gjithë bregdetin perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Tërmeti me forcë 8.9 ballë u pasua nga më shumë se 50 tronditje sizmiologjike në orë, shumica e tyre me magnitudë mbi 6.0 ballë.

Dhjetra qytete dhe fshatra përgjatë bregdetit prej 2 mijë e 100 kilometrash u tronditën nga drishjet e forta, të cilat u ndjenë deri në Tokio, qindra kilometra larg epiqendrës.

Autostradat në zonat bregdetare të goditura më rëndë u dëmtuan dhe komunikacioni, përfshirë edhe linjat telefonike, u ndërprenë.

Shërbimet me tren në Japoninë verilindore dhe në Tokio u ndërprenë, duke lënë një numër shumë të madh njerzit të qarkullonin nëpër rrugë pa ditur ku të shkonin. Aeroporti Narita i Tokios u mbyll për një kohë të pacaktuar.

Valë deti të përzjerra me dhe vërshuan nëpër ferma të tëra afër qytetit Sendai, duke marrë me vete ndërtesa, disa prej tyre në mes të flakëve, ndërsa makinat përpiqeshin të largoheshin nga valët.

Cunami vërshoi në zonat bregdetare, duke marrë me vete çdo që i dilte përpara para se ndryshoi drejtim, duke tërhequr në det makina, shtëpi dhe çdo gjë të shkatërruar prej tij.

Më shumë se 300 shtëpi i morën valët vetëm në qytetin Ofunato.

Pamje televizive tregonin shkatërrime të pafund, pemë të çrrënjosura dhe makina të përmbysura në mes të ujit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike njoftoi se Japonia kishte mbyllur të katër centralet e energjisë bërthamore, si masë paraprake.

Edhe për një vend si Japonia, që goditet shpesh nga tërmete, tërmeti i sotëm ka përmasa të tmershme për shkak të cunamit, që pasoi.

Ky është tërmeti më i fuqishëm që godet Japoninë. Në vitin 1923, Japonia u godit nga një tërmet me forcë prej 8.3 ballësh, i cili shkaktoi 143 mijë të vdekur. Një tërmet tjetër prej 7.2 ballë, që goditi qytetin Kobe në vitin 1996 shkaktoi 6 mijë e 400 të vdekur.

XS
SM
MD
LG