Lidhje

Raport i pritshëm i OKB-së për mbajtjen sekret nën arrest të të dyshuarve terroristë


Raport i pritshëm i OKB-së për mbajtjen sekret nën arrest të të dyshuarve terroristë
Raport i pritshëm i OKB-së për mbajtjen sekret nën arrest të të dyshuarve terroristë

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka shtyrë diskutimin rreth një raporti në të cilin kritikohen një numër vendesh për mbajtjen sekrete nën arrest të të dyshuarve terroristë. Një prej autorëve të raportit i tha Zërit të Amerikës se zyrtarë të qeverisë amerikane dhe qeverive të vendeve të tjera, të cilët dhanë urdhër për mbajtjen në burgje sekrete të këtyre njerëzve, duhet të ndiqen penalisht dhe të dënohen me burgim.

Në një epokë të terrorit global, shtrohet pyetja: si duhet të trajtohen të ndaluarit, që pretendojnë se luftojnë për ideologji fetare dhe që nuk e lidhin veten me asnjë shtet? Kjo çështje për të cilën nuk ka ende përgjigje të saktë është tema kryesore e një raporti të pritshëm të OKB-së.

“Fokusi kryesor i raportit janë Shtetet e Bashkuara, sepse ky vend ka krijuar një program shumë të sofistikuar fluturimesh të fshehta nëpërmjet të cilave persona të dyshuar për terrorizëm janë rrëmbyer dhe janë dërguar në vende të ndryshme në mënyrë që të mos dihet vend-ndodhja e tyre dhe që të nxirret informacion rreth sulmeve terroriste në të ardhmen”.

Manfred Nowak, raportuesd i posaçëm i OKB-së, është veçanërisht kritik ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, që shërbyen në administratën e presidentit Bush. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara ishin në krye të luftës kundër terrorizmit pas 2001 dhe si të tilla shkelën ligjin ndërkombëtar dhe atë amerikan.

“Zhdukja e detyruar dhe tortura janë krime në bazë të ligjit amerikan. Në bazë të rezultatit të raportit tonë si dhe hetimeve të brëndshme, duhet të merren masa kundër atyre zyrtarëve që kanë gisht në ndalimet sekrete dhe metodat e ashpra hetimore”.

Për zotin Nowak drejtësi do të thotë burg. Raporti i OKB-së e bën të qartë se ndalimet sekrete dhe metodat abuzive hetimore janë një fenomen global. Në të përmenden dhjetra vende që abuzojnë me të arrestuarrit dhe kjo ka nxitur një reagim të ashpër. Disa vende islamike dhe afrikane, si dhe Rusia, thonë se raporti nuk është i saktë dhe se autorët nuk kishin mandatin për ta shkruar atë. Diskutimet rreth raportit janë shtyrë deri në qershor.

Në Shtetet e Bashkuara, disa ish zyrtarë të administratës së presidentit Bush janë mospërfillës ndaj Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut dhe i hedhin poshtë akuzat e tij. Xhon Bolton shërbeu si ambasador amerikan në OKB në periudhën 2005-2006.

“Nocioni se ligji ndërkombëtar parandalon qendrat e arrestit sepse shkel normat e dikujt për ligjin ndërkombëtar është një kullë e fildishtë, një fantazi e majtë ideologjike, që duhet hedhur poshtë nga vetë Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut. Në fakt ky Këshill duhet të përqëndrohet në shkeljet e të drejtave të njeriut në vende si Irani, Koreja e Veriut dhe Birmania”.

Ish ambasadori Bolton thotë se teknika hetimore e mbytjes së simuluar si dhe teknika të tjera kontradiktore mund të përbëjnë ose jo torturë, varësisht se si përdoren ato. Ai thotë se administrata e presidentit Bush mori të gjitha masat për vlerësimin e këtyre teknikave që ato të mos çonin në torturë.

“Njerëzit thonë se autoritetet amerikanë po torturojnë këta “terroristë të varfër” që kapin. Ne jemi akuzuar se përdorim metoda mizore kundër tyre si shkulja e thonjve e të tjera. Asnjë prej këtyre akuzave nuk është e bazuar në fakte”.

Zoti Bolton shton se nëse dhe kur të publikohet raporti i OKB-së ai nuk do të ketë asnjë ndikim në Shtetet e Bashkuara. Grupet e të drejtave të njeriut, thonë se pavarësisht nëse ndonjë zyrtar ndiqet penalisht, nxjerrja në dritë e abuzimit të të ndaluarve e bën më të vështirë për qeveritë që të angazhohen në abuzime të tilla në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG