Lidhje

Ushtria amerikane stërvitet për t'iu përgjigjur nevojave pas një sulmi bërthamor

  • Debra Bllok

Ushtria amerikane stërvitet për t'iu përgjigjur nevojave pas një sulmi bërthamor

Ushtria amerikane stërvitet për t'iu përgjigjur nevojave pas një sulmi bërthamor

Shpërthimi i një bombe bërthamore do të ishte një fatkeqësi e paimagjinueshme dhe dëmet do të ishin të jashtëzakonshme. Por nëse ndodh, ushtria amerikane do të jetë e përgatitur për t’u siguruar njerëzve ndihmë mjekësore. Personeli mjekësor i ushtrisë amerikane praktikon teknika që do t’i përdorte për trajtimin e njerëzve të prekur nga një shpërthim bërthamor. Një stërvitje e tillë në shtetin e Indianës, simulon momentet pas shpërthimit të një bombe bërthamore, të vendosur nga terroristët në një qytet amerikan.

Manovrat janë planifikuar që të jenë sa më realiste. Të mbijetuarit e shpërthimit bërthamor janë të tronditur dhe të hutuar. Shumë prej tyre kanë plagë në trup, ose kocka të thyera nga rrëzimi i ndërtesave, të tjerë kanë djegie nga nxehtësia e madhe e çliruar gjatë shpërthimit. Në manovra janë përfshirë viktima manekinë dhe njerëz, të cilët luajnë rolin e të mbijetuarve.

Ekipet simulojnë nxjerrjen e viktimave nga rrënojat. Personeli mjekësor vepron me shpejtësi për t’u dhënë ndihmë të plagosurve dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Majori Mark Rosequist drejton ekipin e mjekëve.

"Megjithëse janë duke punuar me këta manekinë në fakt ata janë njëlloj si njerëz në botën reale dhe qëllimi është që ata të bëhen të aftë të identifikojnë shpejt të plagosurit, apo sëmundjet e ndryshme".

Majori thotë se është po aq e rëndësishme të mbahet informacion për të mbijetuarit dhe ku shkojnë ata për trajtim mjekësor. Në se sistemi kompjuterik nuk funksionon, shënimet duhen marrë me dorë.

Koloneli James Larsen, shef i manovrave, thotë se stërvitja e simuluar është e rëndësishme edhe për personelin mjekësor, që ka përvojë në trajtimin e ushtarëve dhe plagëve të luftës.

"Të punosh në një spital fushor jashtë një zone të ndotur nga elementë bërthamorë është paksa më ndryshe se sa të punosh në një zone luftimesh në Irak, apo Afganistan. Duhet të trajtosh lloje të ndryshme plagësh, apo djegiesh radiologjike".

Këtu në zonën e dekontaminimit, njerëzit fillimisht trajtohen për plagët e marra dhe pastaj ata i nështrohen procesit të dekontaminimit. Ky burrë ka një plagë në kokë dhe është ekspozuar ndaj radiacionit.

Lejtnanti Zaharia Davis thotë se ushtarëve u mësojnë në klasë si t’i trajtojnë plagët e shkaktuara nga bomba bërthamore. Por ai thotë se ekperienca në fushën e betejës është e rëndësishme.

"Asgjë nuk mund të zëvendësojë një simulin në kushtet e botës reale, si përgatitja për misionin tonë përfundimtar, për t’ju përgjigjur një krize reale".

Rreshteri Will Blair, i ekipit mjekësor, është duke dekontaminuar viktimat, i veshur me një kostum mbrojtës, tepër i nxehtë në temperatura të larta. Ai thotë se stërvitja kryhet me shpejtësi dhe se ajo është kaotike dhe stresuese.

"Kjo kërkon të veshësh kostumin dhe të ngrihesh shpejt në këmbë, të ndihmosh njerëzit, të sigurohesh në se të plagosurit janë ende gjallë dhe t’i largosh ata nga vendi i ngjarjes".

Në se nuk tregohen të kujdesshëm, ushtarët mund të bëhen viktima. Këta ushtarë kanë të nxehtë brenda kostumeve të dekontaminimit. Prandaj dhe u japin lëngje intravenoze.

Ushtarët thonë se ata duhet të jenë të përgatitur për të përballuar kushtet e vështira dhe të mos e ndërpresin ndihmën mjekësore, e cila mund t’u shpëtojë jetën mijëra njerëzve.

XS
SM
MD
LG