Lidhje

Analizohen të dhënat e Tevatronit në Institutin Fermi

  • Zëri Amerikës

Analizohen të dhënat e Tevatronit në Institutin Fermi

Analizohen të dhënat e Tevatronit në Institutin Fermi

Përshpejtuesi Tevatron i Laboratorit Kombëtar të Fermit, pronë e qeverisë amerikane në periferi të Çikagos, dikur udhëhiqte botën në fushën e studimeve të thërmijave nënatomike, duke treguar se çfarë ndodhte kur ato përplaseshin me shpejtësinë e dritës. Por tani, Përshpejtuesi i Madh i CERN-it në Evropë është në krye të studimeve në këtë fushë. Zyrtarët amerikanë e ndërprenë funksionimin e Tevatronit në shtator, duke i dhënë fund një karriere 30 vjeçare në fushën e fizikës e së thërmijave.

Që nga koha e fillimit të funksionimit, Përshpejtuesi Tevatron i Laboratorit Fermilab furnizoi me të dhëna studimet e pjesëve përbërëse më themelore të lëndës - thërmijat nënatomike. Por një thërmijë vazhdon të mbetet misterioze për shkencëtarët: Grimca Higgs.

“Ne dimë shumë mbi vendet ku ajo nuk ndodhet, por ende nuk e dimë ku ndodhet.”

Robert Roser është një shkencëtar me përvojë i Laboratorit Fermi dhe ka shpenzuar një pjesë të madhe të karrierës duke kërkuar të ashtuquajturën “thërmija e Zotit”, e cila do t’u lejonte shkencëtarëve të kuptonin më mirë pse lënda ka masë.

“Nëse analizoj të dhënat që kemi... ajo nuk na shfaqet hapur.”

Ka shumë mundësi që Grimca Higgs të mos i shfaqet kurrë zotit Roser apo shkencëtarëve të tjerë që e kanë kërkuar atë për më tepër se 20 vjet.

Me mbylljen e Tevatronit, kërkimet për Grimcën Higgs po vazhdojnë në Laboratorin e madh CERN, në Gjenevë të Zvicrës. Ky sistem është tani përshpejtuesi më i avancuar i thërmijave në botë, por zoti Roser thotë se as ai nuk mund t’a gjejë Grimcën Higgs. Shkencëtarët janë ende duke analizuar të dhënat e shumta që Tevatroni ka prodhuar përpara se të pushonte së funksionuari.

“Ne shpresojmë t’a përfundojmë analizën mbi Grimcën Higgs dhe t’a kemi gati për publikun brenda muajit shkurt ose mars të vitit 2012.”

Por analiza mund të çojë edhe në përfundimin se Grimca Higgs nuk ekziston.

“Mosgjetja e Grimcës Higgs është për disa njerëz shumë më interesante se gjetja e saj.”

Fizikani Patrik Fox thotë se mungesa e asaj thërmije mund të vinte në dyshim njohuritë e deritanishme mbi lëndën dhe masën.

“Zbulimi i Grimcës Higgs do të ishte fantastik... do të ishte mjaft mirë nëse do të gjenim pjesën e fundit të kësaj enigme. Mosgjetja e saj do të na çonte në zbulimin e gjërave shumë më të komplikuara se vetë thërmija në fjalë. Kjo do të ishte interesante pasi do të mund të gjenim forca të reja të natyrës, dimensione të reja të hapësirës. Këto janë mundësi për të cilat Grimca Higgs mund te ekzistojë por ka edhe mundësi që ajo të mos ekzistojë e në vend të saj të ketë diçka tërësisht të re.”

Shkencëtarët e Laboratorit Fermi thonë se, në rastin e Grimcës Higgs, zbulimi i asgjëje mund të ishte një zbulim shumë i madh si dhe kontributi i fundit i Përshpejtuesit Tevatron.

XS
SM
MD
LG