Lidhje

Thaçi: Nuk do të ketë as ndarje dhe as shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

  • Zamira Edwards

Thaçi: Nuk do të ketë as ndarje dhe as shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

Thaçi: Nuk do të ketë as ndarje dhe as shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet për një vizitë këtu në Uashington, ndërkohë që nesër pritet opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, sot kryeministri Thaçi u takua me nën-presidentin amerikan Xho Bajdën, dhe nesër ai takohet me disa anëtarë të Kongresit amerikan. Gjatë një konference shtypi dje në Institutin Amerikan të Paqes këtu në Uashinton, kryeministri Thaçi foli rreth arritjeve të Kosovës, që prej shpalljes së pavarësisë dhe sfidave dhe objektivave të ardhme.

Kryeministri Thaçi tha se e ardhmja e Kosovës dhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo aspiratë, tha zoti Thaçi, nuk është vetëm një dëshirë por edhe një domosdoshmëri për paqen dhe qëndrueshmërinë afat-gjatë. Kosova, tha ai, do të jetë shembull i tolerancës dhe një shoqërie shumë-etnike për të gjithë Evropën. Lidhur me opinionin e pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri i Kosovës tha për Zërin e Amerikës se shpreson që opinion do të respektojë vullnetin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës.

“Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtre të Drejtësisë do të japë një përgjigje për gjithë botën për statusin e Kosovës, që unë besoj fuqishëm se do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran dhe me vendimet e institucioneve të republikës së Kosovës, vendime këto legjitime për shpalljen e Kosovës shtet. Do të hapet një perspektivë e re e mbështetjes edhe të Uashingtonit, edhe të Bashkimit Evropian për Republikën e Kosovës. Do të kemi një vazhdimësi të forcimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, vazhdimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës dhe perspektivën integruese për në NATO, Bashkimin Evropian, por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në proces do të kemi edhe një mundësi të re të zgjidhjes së çështjeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Thaçi përsëriti qëndrimin e qeverisë së Kosovës se ajo është e gatshme për dialog konstruktiv me çdo vend tjetër, përfshirë edhe Serbinë, por me këtë të fundit nuk do të diskutohet kurrë statusi i Kosovës.

“Idetë e rrezikshme që do të mund të vijnë nga Beogradi do të refuzohen vazhdimisht nga Prishtina, nga Uashingtoni dhe nga Brukseli. Prishtina ka një qëndrim të përbashkët me Uashingtonin dhe Brukselin”.

Ai e pranoi se një prej fushave më të vështira për Kosovën ka qënë dhe vazhdon të jetë shteti juridik. Kjo, tha ai, nuk vjen thjeshtë nga fakti se në veri të Kosovës ende funksionojnë strukturat e paligjshme të sigurimit, që financohen nga Serbia, por edhe se rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk janë të kënaqshme. Me qëllim që të kapërcejmë këtë situatë, tha kryeministri Thaçi, qeveria e Kosovës po bashkëpunon nga afër me EULEX-in dhe mekanizmat ndërkombëtare. Zoti Thaçi tha se qeveria e Kosovës është e gatshme të fillojë dialogun me Serbinë lidhur me një sërë çështjesh, mes tyre gjetja e personave të humbur, kthimi i refugjatëve në shtëpitë dhe pasuritë e tyre dhe kthimi i dokumentave nga Serbia. Zbulimi kohët e fundit i një varri masiv afër Beogradit me trupa të shqiptarëve të varrë gjatë luftës, nuk duhet shikuar si një sukses i Serbisë, pasi qe Sërbia, tha zoti Thaçi, që i kreu këto krime dhe i hodhi viktimat në varre masive.

Kryeministri Thaçi e vuri theksin gjithashtu tek dialogu për çështje me interes të përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe zhvillim ekonomik, përfshirë bashkëpunimin në shumë fusha si policia, drejtësia, transporti, rryma elektrike dhe arsimi.

Zoti Thaçi përsëriti se Kosova është një shtet shumë-etnik me kushtetutë dhe ligje që mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë. Ai hodhi poshtë kategorikisht zërat për shkëmbim territoresh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Nuk do të ketë as ndarje, as shkëmbim territoresh, nuk do të ketë as status të veçantë, por do të ketë vetëm respektim të vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet, respektim të integritetit territorial, do të ketë konsolidim të shtetit dhe perspektivë integruese të republikës së Kosovës. Do të mund të ketë diskutime të çështjeve praktike me interes për të dy vendet e dy popujt dhe me një rol të drejtpërdrejtë dhe unik të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian”.

Fatkeqësisht, tha zoti Thaçi, integrimi i plotë i serbëve, që jetojnë në veri të lumit Ibër, është penguar nga roli destruktiv i Serbisë. Ai theksoi angazhimin e qeverisë së tij për vazhdimin e integrimit të serbëve në atë rajon, sepse qytetarët që jetojnë aty duan të kenë të njëjtat përgjegjësi dhe të jetojnë në të njëjtën mënyrë si serbët e tjerë, që jetojnë në jug të Ibrit.

XS
SM
MD
LG