Lidhje

Hetimet për gjetjen e pronarit të makinës bombë, të lënë në Times Square


Hetuesit biseduan me pronarin e makinës së përdorur në sulmin e dështuar me bombë në Sheshin Times Square të Nju Jorkut të shtunën. Një zëdhënës i policisë nuk dha hollësi nëse personi po konsiderohet të jetë i dyshuar. Targa e makinës Nissan Pathfinder i përkiste një makine tjetër në një pikë servisi në Connecticut.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder tha sot se është shumë shpejt të thuhet nëse incidenti është me origjinë jashtë apo brenda vendit dhe se është shumë shpejt të cilësohet si një incident terrorist. Ai tha se ka disa informata të vlefshme lidhur me hetimin. Policia po kërkon për një burrë të paidentifikuar në të 40at i cili është filmuar duke hequr këmishën pranë makinës ku u gjet bomba. Videoja është marrë të shtunën mbrëma nga një kamër vëzhgimi në vendin e ngjarjes dhe u publikua mbrëmë nga policia.

Policia thotë se bomba e ndërtuar me benzinë dhe me gaz propan, ndonëse ishte e ndërtuar me mjete rrethanore, mund të kishte shkaktuar vdekjen e shumë kalimtarëve dhe të kishte tronditur ndërtesat në njërën prej rrugëve me trafik më të dendur të vendit, ku ndodhen një numër i madh teatrosh të Broduejit dhe restorante. Bashkë me bombën u gjet një sasi e madhe plehu kimik si dhe tela dhe fishekzjarrë por policia tha se bomba nuk ishte e tipit me nitrat amoni që mund të shpërthente.

Filimimet e nxjerra nga kamerat e vëzhgimit tregojnë një burrë të bardhë në të 40-at, i cili futet në një rrugicë dhe heq një këmishë, nën të cilën ka veshur një tjetër.

Në të njëjtën video, sipas policisë, ai kthen kokën duke parë në drejtim të makinës nga e cila del tym, pastaj e fut këmishën e parë në një çantë.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg ftoi për një darkë policin i cili evakui zonën ku ndodhej makina në të cilën u gjet bomba.

Bomba ishte ndërtuar me elementë të thjeshtë, duke përfshirë 3 bombola gazi propan që përdoren për gatime zgare, dy bidona benzine, fishekzjarre të blera në dyqan dhe orë me zile të lidhura me tela.
Autoritetet nuk janë në gjendje të thonë se sa viktima mund të kishte shkaktuar bomba po të kishte shpërthyer, përse dështoi shpërthimi dhe kush mund të jetë përgjegjës.

"Synimi i personit që e bëri këtë ka qenë të shkaktojë viktima. Ne po analizojmë në thellësi materialin e përdorur për të përcaktuar përbërjen e tij. Sidoqoftë, ky incident na kujton të gjithëve se qyteti i Nju Jorkut është objektiv i njerëzve që duan të vijnë këtu për na bërë keq," tha komisioneri i policisë së Nju Jorkut Ray Kelly.

Policia ka identifikuar pronarin e regjistruar të makinës Nissan Pathfinder e vitit 1993 e cila kishte targa të marra nga një automjet tjetër.

Policia po kërkon gjithashtu për video të tjera të një personi që ndodhej pranë automjetit, video të filmuara nga një turist nga Pensilvania.

Sheshi, i cili ka trafikun më të ngarkuar të Nju Jorkut, u mbyll të shtunën mbrëma për 10 orë rresht, duke krijuar nervozizëm mes turistëve që përgatiteshin të shkonin për të parë shfaqjet e Broduejit dhe muzeumet.

XS
SM
MD
LG