Lidhje

SHBA: Shtohet ndërtimi i shtëpive të vogla

  • Zëri Amerikës

SHBA: Shtohet ndërtimi i shtëpive të vogla

SHBA: Shtohet ndërtimi i shtëpive të vogla

Këtu në Shtetet e Bashkuara, që prej fillimit të krizës së shtëpive, është rritur shumë interesimi për shtëpi të vogla, dhe kur themi të vogla, kemi të bëjmë me shtëpi 10 deri në 20 metra katrore, të cilat shiten nga 20 deri në 50 mijë dollarë, të vendosura mbi rrota, që lëvizen në çdo shtet të Amerikës.

Kjo kabinë druri mbi rrota është prirja më e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Disa njerëz i vendosin këto shtëpi mbi rrota në oborin e shtëpisë për t’i përdorur si zyrë, studio apo dhomë gjumi shtesë.

Të tjerë i përdorin ato si shtëpi të lëvizshme, të cilat mund t’i parkojnë në parqe.

Por pronarët më të guximshëm të këtyre shtëpive të vogla i kanë ato banesa të përhershme.

"Arsyet e njerëzve për të banuar në një hapësirë shumë të vogël janë nga më të ndryshmet, por një prej këtyre arsyeve është më e përgjithshme, thotë 46 vjeçari Jay Shafer, bashkë-themelues i kompanisë, Shoqëria e Shtëpive të Vogla.

"Shumë njerëz nuk duan të përdorin më shumë burime se sa u duhen".

Jay, autor i librit "Shtëpia e Vogël", ndërtoi vetë një shtëpi të vogël prej druri para një dekade në qytetin Graton të Kialifornisë dhe e kishte atë banesë të përhershme deri sa i lindi djali vitin e kaluar.

Ajo shtëpi është vetëm 10 metra katrore, dhe megjithatë ka kuzhinë, një banjë, verantë, dhomë gjymi në katin e sipërm dhe ajo që njihet si dhoma e madhe, e cila shërben për punë dhe argëtim.

Jay Schafer dhe familja e tij jetojnë tani në një shtëpi 55 metra katrore, që ndodhet afër shtëpisë së vogël.

Shafer, bashkë-pronar i kompanisë Tumbleweed Tiny House, projekton, ndërton dhe shet projekte të shtëpive të vogla, madje u mëson të tjerëve si të ndërtojnë për vete shtëpi të vogla.

Stili i shtëpive të vogla të kësaj kompanie vlerëson më tepër cilësinë se sa madhësinë e shtëpisë dhe sigurohet që asnjë centimetër katror nuk mbetet pa u përdorur.

Një shtëpi e tillë, që përfshin domosdoshmëritë e jetës në një hapësirë sa një dollap i disa shtëpive të tjera, shitet për 40 deri 50 mijë dollarë, por kushton sa gjysma nëse e ndërton vet.

Jay Shafer thotë se kompania Tumbleweed është rritur ndjeshëm veçanërisht që prej fillimit të krizës së shtëpive. Çdo vit ai shet rreth 50 projekte të këtyre shtëpive, krahasuar me 10 projekte që shiste para 5 vjetësh.

Tetë klasa pune që ai organizon çdo vit në gjithë vendin tërheqin mesatarisht 40 veta secila.

Këto shtëpi të vogla ndërtohen me material të cilësisë së lartë, izolohen mirë dhe janë mjaft tërheqëse, megjithatë janë të vendosura mbi rrota, gjë që i bën të lëvizshme dhe u mundëson pronarëve t’i çojnë kudo dhe me lehtësi.

Që prej fillimit të krizës së shtëpive, është rritur shumë interesimi për këto shtëpi të vogla mes të rinjve dhe brezit, që është afër pensionit, thotë Kent Griswold, i cili administron bllogun Tiny House, Shtëpia e Vogël, që tërheq 5 deri në 7 mijë vizitorë në ditë.

"Para 3 vjetësh, njerëzit i shikonin këto shtëpi si lojë, por tani ato janë pjesë e reaslitetit për shumë njerëz. Me ngadalsimin ekonomik, njerëzit po shqyrtojnë mundësinë që të jetojnë në një hapësirë më të vogël dhe më të përballueshme ekonomikisht".

Distrikti Sonoma në Kaliforninë veriore është shndëruar në një mekë të vogël gjatë viteve të fundit për industrinë e shtëpive të vogla.

Stephen Marshall punonte në ndërtim për rreth 30 vjet, para se tregu i shtëpive të binte ndjeshëm para 3 vjetësh. Dhe pikërisht në atë kohë ai hyri në biznesin e shtëpive të vogla, duke krijuar kompaninë Shtëpitë e vogla mbi rrota.

Kompania e tij ndërton dhe shet shtëpi të vogla, të cilat i kanë të gjitha, përfshirë kuzhinën dhe banjat, si dhe gjëra të tjera, të cilat në përgjithësi ai i quan “Një dhomë për vete”, që mund të përdoret si zyrë apo si një dhomë gjymë shtesë.

Shtëpitë e tij të vogla, që kushtojnë nga 20 deri në 50 mijë dollarë, janë shumë më të lira se sa të ndërtosh një hapësirë shtesë në shtëpi, madje mund ta shesësh kur nuk ke nevojë për atë hapësirë.

Kompania ka shitur 16 shtëpi këtë vit dhe synon të shesë 20 vitin e ardhshëm.

Jay Shafer thotë se që të jetosh rehat në një shtëpi të vogël duhet të dish nevojat e tua të domosdoshme dhe të eliminosh çdo gjë tjetër.

"Dhe ky është kyçi për të qënë i lumtur", thotë ai, ndërsa relaksohet në verantën e tij me dy karike, ku i bie dielli.

XS
SM
MD
LG