Lidhje

Spanjolli Alberto Kontador, fitues i Turit të Francës


Çiklisti spanjoll Alberto Contador fitoi për të tretën herë Turin e Francës, ndërsa Lance Armstrong i Shteteve të Bashkuara, 7 herë fitues i titullit kampion të këtij turi doli në vend të 23. Armstrong ka thënë se kjo do të jetë gara e tij e fundit.

Çiklisti britanik Mark Cavendish fitoi fazën e fundit, përgjithësisht ceremoniale të garës, me një sprint deri në vijën e finishit. Pas tij u renditën Alessandro Petachi i Italisë dhe Julian Dean i Zelandës së Re, të gjithë me kohën 2 orë, 42 minuta e 20 sekonda.

Por spanjolli Alberto Contador ishte fituesi i padiskutueshëm i garës, tashmë me 3 tituj kampion brenda 4 vjetësh. Ai e vulosi fitoren me avantazhin ndaj rivalit Andy Schleck i Luksenburgut në garat individuale dje. Andy Schleck doli i dyti në rezultatin e përgjithshëm, me 39 sekonda më shumë se Contador, ndërsa Denis Menchov i Rusisë doli i treti duke përfunduar 2 minuta e një sekond më pas.

Fitorja e çiklistit Contador me 39 sekonda diferencë u realizua nga avantazhi që ai siguroi ndaj Andy Schleck në fazën e 15 të garës, kur spanjolli nuk mori parasysh etiketën e çiklizmit dhe u hodh në sulm kur Schleck u vonua nga probleme mekanike.

Alberto Contador filloi të festonte me shampanjë që në fazës finale dhe kishte ngritur 3 gishta për të sinjalizuar fitoren e tretë të Turit. Ai është çiklisti i nëntë në historinë 97-vjeçare të Turit të Francës që siguron 3 herë titullin kampion të kësaj gare, pas fitores në vitin 2007 dhe më pas në 2009.

XS
SM
MD
LG