Lidhje

Trafikimi i fëmijëve: Një biznes i errët me përfitime të jashtëzakonshme

  • Amra Alirejsovic

Trafikimi i fëmijëve: Një biznes i errët me përfitime të jashtëzakonshme

Trafikimi i fëmijëve: Një biznes i errët me përfitime të jashtëzakonshme

Trafikimi i fëmijëve është një nga krimet që po përhapet më me shpejtësi në botë, një biznes i errët, që shpesh kryhet në internet dhe me përfitime të jashtëzakonshme. Sipas UNICEF-it, rreth 2.5 milionë fëmijë, shumica vajza, shfrytëzohen seksualisht në industrinë miliarda dollarëshe të seksit. Shpesh mendohet se kjo dukuri ekziston në vendet me sisteme të paqëndrueshme ekonomike dhe politike, por ai është problemi më i madh në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Afrikë. Siç njofton në këtë pjesë të dytë të një serie për këtë dukuri, qeveritë, organizatat e rendit dhe agjencitë joqeveritare po bëjnë thirrje për më shumë bashkëkoordinim për t’u përballur me gjendjen.

“Vitin e kaluar identifikuam 56 raste të rinjsh që janë bërë pre e shfrytëzimit seksual, vetëm në zonën e Uashingtonit”.

Andrea Powell është drejtore ekzekutive e Fondacionit FAIR, një organizatë që e themeloi para tetë vjetësh për të ndaluar trafikun e të rinjve në gjithë botën.

Kjo organizatë ka ndihmuar mijëra vajza dhe djem adoleshentë deri tanë në Shtetet e Bashkuara, Bosnje, Serbi, Rusi dhe Ugandë.

“Asia” është një nga rastet e suksesshme të këtij grupi. E përfshirë në prostitucion, ajo shpesh punonte 15 orë në ditë.

“Ishte e neveritshme. Unë e shkëputa veten, mendjen nga ajo që ndodhte; me dukej sikur ishte një person tjetër, jo unë”.

Deri në momentin kur u arrestua, dhe fondacioni FAIR e ndihmoi që ta ndryshonte jetën e vet.

“Shkurt, ata me ndihmuan të shndërrohem në personin që jam sot. Unë nuk jam i njëjti person”.

Por për çdo rast fatlum si i saji, ka shumë të tjerë që nuk e kanë këtë fat.

Kongresmeni Kris Smith është një nga mbrojtësit më të fuqishëm për të drejtat e viktimave të trafikut njerëzor.

“Të paktën 100 mijë vajza amerikane, shumica që kanë ikur nga shtëpitë, me moshë mesatare 13 vjeç, janë nëpër rrugë. Dhe brenda 48 orësh, nëse nuk sillen në shtëpi ose ndonjë strehë, duke përdorur drogë, kokainë ose disa droga të tjera të dëmshme, pronarët e tyre i detyrojnë këto vajza të bëhen prostituta”.

Shumë të mitur sillen në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera, kryesisht Amerika latine, Azia Juglindore, Evropa Jugore dhe lindore. Fëmijët romë shpesh sillen nga Bosnja ose Serbia për të plaçkitur ose për të pastruar shtëpi. Fëmijë nga Afrika Lindore sillen të punojnë si shërbëtorë nëpër shtëpi apo nëpër ferma, ndërsa fëmijë nga India detyrohen të punojnë në biznesin e veshjeve. Familjet e tyre shpesh nuk e kanë idenë se çfarë është bërë me ta. Në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, edhe oficerët e policisë që shkojnë në shtëpi publike ose klube strip-tease i përdorin viktimat për seks në vend që t’i ndihmojnë.

“Trafiku i njerëzve dhe trafikimi i fëmijëve është bërë një biznes global nga i cili asnjë vend nuk është i përjashtuar”.

Helga Konrad është ish- përfaqësuese e posaçme e OSBE-së për trafikimin e qenieve njerëzore.

“Personat përgjegjës janë të lidhur në shkallë ndërkombëtare. Në Evropën Juglindore për shembull, ku ka aktivitet Fondacioni FAIR, ne e dimë që serbët dhe shqiptarët dhe të tjerët bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Kështu, ata që normalisht nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, janë të lidhur ngushtë në biznese kriminale dhe motivohen nga përfitime të jashtëzakonshme”.

Kongresmeni Smith, që ka hartuar një ligj për mbrojtjen e viktimave të trafikut, thotë se duhet bërë shumë më tepër.
“Na duhet më shumë personel i organeve të rendit, që të jetë i trajnuar që ta dallojë një grua të trafikuar, e çfarëdolloj moshe qoftë, por me një theks të veçantë tek vajzat shumë të reja dhe që të bëjnë të mundur që ato të mos arrestohen, të trajtohen si prostituta apo ndiqen penalisht”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë vlerëson se 300 mijë të mitur në Shtetet e Bashkuara rrezikohen që të bëhen viktima të shfrytëzimit për qëllim tregëtie seksuale. Përveç kësaj, Departamenti i Shtetit thotë se rreth 14 mijë – 17 mijë vajza nga vende të tjera trafikohen në Shtetet e Bashkuara për këtë qëllim çdo vit. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për trafikun njerëzor thotë se rreth 12.3 milionë të rritur dhe fëmijë bëjnë punë të detyruar dhe detyrohen të prostituohen në gjithë botën. Ata që po e luftojnë këtë dukuri shpresojnë që me bashkëpunim më të mirë dhe angazhim më të madh nga të gjitha palët, gjendja do të përmirësohet.

XS
SM
MD
LG