Lidhje

Shqipëri: Polemika mes qeverisë dhe opozitës mbi raportin e Transparency International

  • Armand Mero
  • Tiranë

Shqipëri: Polemika mes qeverisë dhe opozitës mbi raportin e Transparency International

Shqipëri: Polemika mes qeverisë dhe opozitës mbi raportin e Transparency International

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot rezultatin e Trasparency International sipas të cilit vendi ka ngjitur 8 pikë në klasifikimin mbi perceptimin e korrupsionit. Sipas tij ky rezultat është fryt i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë, ndërkohë që akuzoi Bashkinë e TIranës si pengesën kryesore të përmirësimit të mëtejshëm të vlerësimit mbi korrupsionin. Por kryebashkiaku njëkohësisht dhe kryetari I partisë socialiste Edi Rama tha se kryeministri hedh baltë mbi opozitën ndërkohë që sipas tij është i zhytur në korrupsion.

Kryeministri Sali Berisha hapi mbledhjen e qeverisë duke komentuar rezultatin e djeshëm të Transparency International sipas të cilit Shqipëria kishte ngjitur 8 vende në klasifikimin e perceptimit të korrupsionit: "Qeveria shqiptare, vendi në tërësi ia doli të lerë pas dhe tetë vende të tjera në këtë luftë, të arrijë kështu, në një pozicion të ri, të rëndësishëm, të kapë një stacion të ri, jashtëzakonisht inkurajues drejt betejës sonë përfundimtare me këtë faktor që përbën matermatriks të të gjitha të këqijave në një shoqëri të lirë".

Për kryeministrin rezultati i nxjerrë nga Transparency International është fryt i një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria dhe sipas tij ai do të ishte ndjeshëm më i mirë sikur të mos ekzistonte korrupsioni i lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës apo dhe disa bashki të tjera, duke sulmuar kështu kryebashkiakun e Tiranës njëkohësisht dhe kryetarin socialist Edi Rama.

Socialistët që dje u shprehën se nuk kishte vend për entuziazëm në klasifikimin e ri të Transperncy ionternational i cili sipas deputetit Taulant Balla është më i ulët se ai i dy viteve më parë.

Ndërsa nga ana e tij kryetari socialist Rama u përgjigj pak pas deklaratave të kryeministrit: "Sali Berisha hedh baltë mbi opozitën dhe importon me korrupsion plehra nga jashtë për të përfituar duke mbytur shqiptarët. Hedh baltë mbi opozitën dhe tërë lumenjtë e Shqipërisë i ka kthyer me korrupsion në sheshe ndërtimi për hidrocentrale që do t’i shfrytëzojnë oborrtarët e tij. Hedh baltë mbi opozitën dhe ndërton me korrupsion fabrika çimentosh që shkatërrojnë mushkëritë e vendit e të njerëzve të këtij vendi, duke mos kursyer as Krujën e Skënderbeut të cilës po i nxjerr edhe brinjët për gurore korrupsioni".

Polemikat që pasojnë raportin e djeshëm të Transparency International ngjajnë me një vazhdim të akuzave të shumta për korrupsion të shkëmbyera mes palëve. Një klimë e ngarkuar me konflikt e cila siç tha dje prokurorja e përgjithshme Ina Rama e bën të vështirë dhënien e drejtësisë në vend, aq më tepër luftën ndaj “jakave të bardha siç u shpreh ajo”. Një deklaratë e cila detyroi me pas presidentin Bamir Topi të kërkonte nga prokuroria dhënien e mesazhve të drejtpërderejta me anë të rezultateve konkrete duke theksuar se Tani është koha për Drejtësi”.

XS
SM
MD
LG