Lidhje

Ekspozitë mbi trupin e atletëve olimpikë nga brenda dhe jashtë


Një ekspozitë e re në Britani, pasqyron trupin e atletëve olimpikë nga brenda dhe jashtë. Ekspozita që do të hapet në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve i tregon vizitorit se çfarë ndodh në trupin e njeriut në rastin e një dëmtimi si dhe aftësitë e jashtëzakonshme që kanë muskujt njerëzorë.

Ky nuk është laboratori i fshehtë i Doktor Frankenshtajnit, por studioja e një artisti, ekspert të trupit njerëzor.

Richard Neave ka qenë më parë ekspert mjeko-ligjor dhe ka ndihmuar policinë të zgjidhë disa raste vrasjesh, për shembull, duke rindërtuar fytyrën e njeriut nisur nga kafka e tij.

Neave është në gjendje të rindërtojë fytyrat dhe trupat njerëzorë si rrjedhojë e njohurive të thella që ai ka për anatominë.

Ai di emrin e çdo muskuli dhe se si muskuli lidhet me kockat e me ligamentet.

Ky është një model i ndërtuar prej tij, që tregon se si duket trupi njerëzor nën lëkurë, sidomos si duket trupi i një atleti. Në këtë rast fjala është për atletin e Lojrave Paraolimpike, Richard Whitehead.

Whitehead ka lindur pa këmbë. Sot ai e bën vrapimin 200 metërsh dhe maratonën me proteza prej fibrash karbonike.

“Ai ka kupën e gjurit dhe pak kockë por nuk ka gjymtyrët e poshtme dhe gjithë jetën ka përdorur trupin për të lëvizur mbi gjunjë."

Për këtë arsye, thotë Neave muskujt e sipërm të atletit janë zhvilluar shumë, muskujt e krahëve dhe të barkut.

Zoti Neave thotë se punimi i tij synon të vlerësojë forcën dhe guximin e atletëve të tillë por edhe faktin që teknologjia moderne ka krijuar gjymtyrë të tilla artificiale.

Artistja tjetër, Denise Smith pikturon secilën kockë dhe muskul:

Neave dhe Smith kanë shpenzuar orë të tëra për të filmuar atletin për të krijuar një ide se si duhet të duket ai me shpejtësi të plotë.

Zonja Smith shpreson se atleti do të mbetet i kënaqur me variantin përfundimtar:

"Mendoj se të gjithë artistët e kanë këtë shqetësim, pra se sa saktë do të ketë dalë punimi, sidomos sepse në fillim, ne nuk e kishim pozën e mirëfilltë të atletit.”

Ky është një nga muskujt më të njohur të trupit, sepse shumë nga ne e kanë tërhequr atë dhe kanë patur dhimbje.

Por atletët e elitës ndonjëherë kanë një fat më të keq sepse muskujt e tyre pa përjashtim shtrihen në maksimum gjatë vrapimit dhe kjo i vë në rrezik.

Artistja Emily Evans është gjithashtu anatomiste dhe i njeh mjaft mirë funksionet e muskujve.

“Ky është muskuli në pjesën e prapme të kofshës që lejon shtrirjen e këmbës dhe përkuljen e gjurit.”

Në sporte si vrapimi me pengesa ky muskul dëmtohet ku ai shtrihet së tepërmi.

Procedurat për riparimin e rasteve të tilla janë mjaft të ndërlikuara.

Ky art është tani pjesë e ekspozitës që do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës në në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve, i cili studion historinë e përparimeve mjeksore në të gjitha kohrat.

XS
SM
MD
LG