Lidhje

Një studim i ri tregon se Turqia po distancohet nga Perëndimi

  • Derek Henkel

Një studim i ri tregon se Turqia po distancohet nga Perëndimi

Një studim i ri tregon se Turqia po distancohet nga Perëndimi

Në 15 vjetorin e fillimit të negociatave të Turqisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, janë ngritur shqetësime të reja nëse ky vend po krijon një farë distance me Perëndimin. Një vëzhgim i sapo publikuar, tregon se në vendin euro-aziatik, ka rënë ndjeshëm popullariteti për Shtetet e Bashkuara dhe për presidentin Barak Obama.

Vendi i cili qëndron në kryqëzimin e Lindjes me Perëndimin ka ndryshuar pikëpamjet e tij për shtetet dhe institucionet e Perëndimit gjatë vitit të kaluar. Kjo sipas një sondazhi të publikuar muajin e kaluar nga organizata “Transatlantic Trends”.

Sipas një studimi të kryer nga Fondi gjerman Marshall, vetëm 17% e turqve kanë një opinion pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara. Kjo, pavarësisht përpjekjeve të presidentit Obama për t’u shtrirë dorën vendeve me shumicë muslimane, i cili deklaroi para parlamentit turk, në vizitën e tij të parë jashtë vendit në vitin 2009, se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të forcojnë lidhjet me Lindjen e Mesme.

Që nga ajo kohë, popullariteti i Obamës ka një rënie prej 22% mes turqve, duke arritur nivelin më të ulët. 28 përqind e turqve e mbështesin punën e tij si president.

Ian Lasser i cili ka kryer studimin është analist i njohur politik.

“Opinioni për udhëheqjen amerikane, opinioni pozitiv për të, realisht ka rënë. Ka një përqindje të ulët kur vjen puna tek pikëpamjet pozitive për Shtetet e Bashkuara në Turqi”.

Dhe përveç rënies publike të mbështetjes për Amerikën, Turqia, ky vend laik kryesisht mysliman, duket se është i pakënaqur edhe me institucione të tjera perëndimore.

Mbështetja për NATO-n, organizata perëndimore për sigurinë, ka rënë thuajse 20% që nga viti 2004, dhe vetëm 30% e turqve besojnë se kjo organizatë është me rëndësi për sigurinë e tyre. Vetëm 38% e publikut turk beson se anëtarësimi në BE mund të jetë i dobishëm për vendin, një rënie prej 35% gjatë kësaj periudhe.

Michelle Egan jep lëndën e studimeve europiane në Universitetin Amerikan.

“Njerëzit shqetësohen pak përsa i përket tërheqjes disi nga Perëndimi apo distancës nga BE. Ky vend ka qenë mjaft aktiv me fqinjët e Lindjes së Mesme, dhe në mënyrë të pavaraur, sëbashku me Brazilin filloi një iniciativë për ndërmjetësim me Iranin, të cilën Shtetet e Bashkuara nuk e mbështetën”.

Lidhja me Iranin është një tjetër prirje e studiuar në vëzhgim, ku 14% e turqve besojnë se veprimet ushtarake mund ta pengojnë Iranin për sigurimin e armës bërthamore.

Festivali i kulturës turke në Uashington, këtë vit përveç ushqimit dhe kërcimit tradicional, tërhoqi vëmendjen e njerëzve me një diskutim mbi rolin e Turqisë në Perëndim. Organizatori i fetivalit Demet Jabar thotë:

“Ne përpiqemi të përmirësojmë dhe rindërtojmë urat e mirëkuptimit kulturor dhe të miqësisë mes SHBA dhe Turqisë. Ndaj mendoj se të sjellësh kulturën tënde në këtë vend, është shumë e rëndësishme.”

“Ekziston rreziku i ftohjes së Turqisë me Perëndimin. Tuqia nuk do të tërhiqet nga NATO, ne kemi ende një marrëdhënie funksionale me Turqinë në çështje të rëndësishme. Por trajektorja e këtyre marrëdhënieve ndoshta mund të mos jetë e njëjtë, dhe kjo mund të shkaktojë probleme në të ardhmen”.

Ndonëse Turqia ka kaluar reformat e rëndësishme institucioanle të nxitura nga BE, në përgjithësi mendohet se është i pamundur për Turqinë anëtarësimi pa normalizuar më parë marrëdhëniet me qeverinë e njohur botërisht të Qipros greke.

Një Turqi skeptike, dhe një Europë e paqartë, shtrojnë sëbashku pyetjen se cila është ardhmja e këtij aleati të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG