Lidhje

Turqia në prag të referendumit mbi një paketë reformash të gjera

  • Dorian Xhouns

Këtë fundjavë, turqit do të dalin në votime rreth një pakete reformash, që qeveria thotë se do të forcojë demokracinë dhe do ts afrojë Kushtetutën e vitit 1982 me normat evropiane – çështje me rëndësi në përpjekjen e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por opozita pohon se qeveria mbështet amendamentet për të rritur kontrollin ndaj gjykatave të vendit.

“Votoni pro” demokracisë së re turke është mesazhi para referendumit të së dielës i partisë në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, apo AKP.

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili po bën fushatë në mbarë vendin, po përcjell një mesazh të thjeshtë – referendumi është mundësi për popullin për të hequr qafe kushtetutën e tanishme, që u hartua nga udhëheqësit ushtarakë të vendit më 1982.

“Vendi është i juaji”, tha zoti Erdogan. “Në njërën anë, kemi kushtetutën që u vendos nga grushti ushtarak; në anën tjetër, kemi kushtetutën e popullit.”

Reformat do të rrisnin pushtetin e gjykatave civile kundrejt gjykatave ushtarake dhe analistët thonë se do të mund të hapnin rrugën drejt gjykimit të udhëheqësve të grushtit të shtetit të vitit 1980, që çoi në arrestimin, torturimin dhe vrasjet pa gjyq të shumë veprimtarëve turq.

Xhengiz Aktar është analist i politikave pranë Universitetit Bahçeshehir në Stamboll.

“Përsa i përket përmbajtjes, këto amendamente janë në kundërshtim me qëllimet thelbësore të Kushtetutës së 1982-ës. Përmbajtja e tyre ka ndikim të gjerë, sidomos përsa i përket ndërhyrjes ushtarake dhe ndërhyrjes së gjyqësorit në jetën politike.”

Të drejtat e grave dhe sindikatave po ashtu zgjerohen në bazë të ndryshimeve të propozuara. Por jo të gjithë pranojnë idenë se votimet e së dielës do të fuqizojnë demokracinë turke.

Dy partitë kryesore të opozitës – nga e djathta dhe e majta e spektrit politik – kundërshtojnë reformat gjyqësore, sepse thonë se parlamenti dhe presidenti do të kishin më shumë kontroll mbi emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Gjykatat kanë qenë roja tradicionale e shoqërisë laike në Turqi, qysh kur Mustafa Kemal Ataturku shpalli republikën më 1923, pas rënies së Perandorisë Osmane. Kreu i Gjykatës së Apelit, Hasan Gerçeker, shprehet kundër miratimit të reformave të propozuara.

*Nenet që duan t’i ndryshojnë mbrojnë epërsinë e ligjeve, të drejtave dhe lirive themelore si dhe të sundimit të ligjit shoqëror dhe laik, thotë ai. Me amendamentet kushtetuese, shton ai, konflikti mes gjykatave dhe ekzekutivit do të rritet, meqë amendamentet shpërfillin vullnetin e gjykatave dhe ua ulin atyre autoritetin brenda gjyqësorin.

Qeveria akuzon gjykatat se po mbrojnë elitën e pakët laike dhe thotë se reformat do të demokratizojnë gjyqësorin.

Kemal Këllëçdarollu është udhëheqësi i ri i forcës më të madhe pro-laike në vend, Partia Republikane e Popullit. Në fushatë kundër ndryshimeve të propozuara kushtetuese, ai po përqendrohet në çështjet si korrupsioni, varfëria dhe papunësia në Turqi.

Zoti Këllëçdarollu pyeti një turmë fshatarësh në Turqinë jugore nëse i kishin punët më mirë tani pas tetë vjet qeverisjeje të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit. Ata u përgjigjën duke brohoritur “jo”.

Sipas anketave të opinionit publik, deri në 90 përqind të turqve nuk kanë sa duhet njohuri për ndryshimet e propozuara kushtetuese.

Në fillim të fushatës, qeveria pati një epërsi të theksuar dhe zëvendëskryeministri Bylent Arënç parashikonte se mbi 60 përqind e votuesve do të votonin për reformat. Por anketat kanë vërejtur rënie të vazhdueshme që atëherë dhe shumica e tyre thonë se është vështirë të përcaktohet rezultati.

Gazetari Nuraj Mert thotë se rezultati i ngushtë në anketime tregon për përçarjet brenda shoqërisë turke.

“Të gjithë besojnë rezultati në votime do të jetë shumë e ngushtë dhe kjo do të thotë se Turqia është e ndarë në dysh. Në cilëndo çështje, çështjen kurde për shembull, Turqia është sërish e ndarë në dysh. Rreth laicizmit dhe konservatorizmit, është sërish e ndarë. Rreth përkufizimit të laicizmit dhe demokracisë, populli ka mendime tepër të kundërta dhe diferenca e pikëpamjeve po rritet çdo ditë, çfarë e bën Turqinë një vend në krizë dhe kjo gjendje nuk do të zgjidhet aq shpejt.”

Analistët thonë se rezultati i referendumit të së dielës mund të varet nga pakica kurde e vendit, e cila përbën 20 përqind të popullsisë. Subjekti kryesor pro-kurd, Partia e Paqes dhe Demokracisë, po bën thirrje për bojkotimin e referendumit, duke thënë se reformat nuk merren me çështje të kurdëve.

XS
SM
MD
LG