Lidhje

Turqi: Kryeministri Erdogan dhe ambicjet për ndryshime kushtetuese

  • Dorian Xhouns
  • Zëri Amerikës

Turqi: Kryeministri Erdogan dhe ambicjet për ndryshime kushtetuese

Turqi: Kryeministri Erdogan dhe ambicjet për ndryshime kushtetuese

Zgjedhjet e përgjithme të së dielës së kaluar në Turqi, sollën fitoren e Partisë për Drejtësi e Zhvillim të kryeministrit Rexhep Taip Erdogan. Por kjo fitore nuk pati shijen e duhur për kryeministrin dhe partinë e tij, pasi ata nuk arritën dot të siguronin dy të tretat e vendeve në parlament, çka do t’i lejonte që të ndryshonin kushtetutën, pa patur nevojën e mbajtjes së një referendumi popullor.

Mbështetësit e Partisë për Drejtësi e Zhvillim festojnë fitoren e partisë së tyre, ndërsa Kryeministri Erdogan la mënjanë retorikën e tij të zjarrtë të fushatës, me sa duket për të tërhequr sa më shumë mbështetje.

Zoti Erdogan thotë se populli i dha një mesazh për të hartuar një kushtetutë të re përmes konsesusit e negociatave. Por kjo detyrë duket se nuk do të jetë e lehtë për zotin Erdogan. Kryeministri shpresonte të fitonte dy të tretat e vendeve në paralament, të nevojshme për të ndryshuar kushtetutën pa mbajtur një referendum.

Sipas Sinan Ulgen i firmës për kërkime politike Edam, rezultati ishte një goditje e madhe për ambicjet e zotit Erdogan, sidomos për dëshirën e tij për të marrë rolin e presidentit.

“Kryeministri e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të patur një sistem presidencial të stilit amerikan apo francez. Ai e shikon këtë sistem preisdencial si një mënyrë për të përqëndruar edhe më shumë pushtet në duart e tij. Por me këtë shpërndarje numrash në parlament, është e dukshme se do të jetë shumë e vështirë që ai t’a realizojë këtë”.

Posti i presidentit në Turqi është ceremonial. Dëshira e zotit Erdogan është që të ecë përpara me planet për të ndryshuar kushtetutën me një rol më të zgjeruar për presidencën dhe një rol më të reduktuar të ushtrisë.

Por Partia Popullore Republikane, forca kryesore politike e opozitës, dhe disa anëtarë veteranë të partisë së kryeministrit thonë se një presidencë më e fuqishme mund të vendosë nën kontroll parlamentin.

Studiuesi i shkencave politike Nuray Mert thotë se ambicja personale e zotit Erdogan mund t’i kushtojë vendit, sidomos për çështjen e të drejtave të kurdëve.

“Nuk është premtuese për kurdët. Nuk ka liri, nuk ka të drejta, nuk njihen kërkesat e kurdëve. Kjo është arsyeja që ambicja e tij personale është një zhgënjim i madh”.

Mbështetësit e Partisë për Paqe e Demokraci, një parti pro kurde, kanë arsye për të festuar këtë javë. Partia ka shtuar përfaqësimin e saj në parlamen, nga 20 në 36, duke i marrë vende partisë së zotit Erdogan.

Kjo parti kërkon më shumë të drejta për kurdët, ku përfshihen dhe më shumë autonomi dhe arsim në gjuhën kurde. Nëse zoti Erdogan zgjedh që të plotësojë këto kërkesa si pjesë e një kushtetute më liberale, ai mund të gjejë një partnere tek Partia Popullore Republikane.

Zoti Ulgen i shkencave politike me firmën Edam shpjegon:

“Udhëheqësi i ri i partisë po ndjek një qëndrim më liberal dhe nëse ecet kështu, partia e kryeministrit Erdogan mund të gjejë një partner më konstruktiv në parlament, për miratimin e amedamenteve kushtetuese”.

Vëzhguesit thonë se stili i fortë i zotit Erdogan, ndonëse i pëlqyer nga një pjesë e madhe e elektoratit turk nuk është i prirur drejt konsesusit. Në fakt, përpjekjet e tij të mëparshme për të paraqitur një kushtetutë të re , nuk u realizuan si pasojë e natyrës së tij thumbuese e ironike.

Por mungesa e vendeve në parlament, parashikon nevojën e një referendumi për kushtetutën e re. Në këto kushte, studiuesi i shkencave politike Çengiz Aktar, thotë se zoti Erdogan mund të zgjedhë që të ndjekë qëllimet e tij presidenciale dhe kryerjen e reformave të kufizuara që synojnë qetësimin e votuesve nacionalistë.

“Ai mund të thotë se sipas vizionit të tij, ai ende ka shumicën dhe ende e qeveris këtë vend. Në këtë rast, një kushtetutë e re moderne e liberale në Turqi nuk e zgjidh konfliktin kurd. Dhe për aq kohë sa vendi nuk e zgjidh dot konfliktin kurd, gjithshka mund të ndodhë. Të gjitha mundësitë janë të hapura, dhe ato ngrenë pikpyetje të mëdha për të ardhmen e Turqisë. Ky është çmimi që duhet paguar”.

Ditën e zgjedhjeve, grupi rebel kurd, PKK, i cili ka luftuar me shtetin turk që nga vitin 1984, paralajmëroi se do t’i intensifikojë veprimet e veta, nëse qeveria e re nuk ndërmer hapa të menjëhershm për të plotësuar kërkesat e tyre. Dhe partia për paqe e demokraci që mbron interesat kurde, ka paralajmëruar për trazira të mëdha sociale. Turqia është në udhëkryq, dhe duket se kryeministri i vendit ka pak kohë përë të marrë një vendim, se cilën rrugë duhet të zgjedhë.

XS
SM
MD
LG