Lidhje

Zgjedhjet në Turqi dhe komuniteti kurd

  • Dorian Xhouns

Zgjedhjet në Turqi dhe komuniteti kurd

Zgjedhjet në Turqi dhe komuniteti kurd

Ndërsa Turqia shkon në votime këtë të dielë, partia me bazë islame AK po gëzon një udhëheqje thuajse të sigurt. Por në juglinden me shumicë kurde, kjo parti po përballet me një konkurrencë të fortë nga banorët kurdë, si ata laikë edhe fetarë, që janë bashkuar në emër të nacionalizmit.

Çdo të premte në Dixharbakir, besimtarët muslimanë bojkotojnë lutjet në xhaminë e kontrolluar nga shteti dhe dëgjojnë predikimet në gjuhën e tyre amtare kurde. Pa marrë parasysh diellin verbues të mesditës, mijëra besimtarë kthehen për t’u falur përballë mureve të qytetit.

Deri në fund të viteve 1980, gjuha kurde ishte e ndaluar. Kufizimet nisën të hiqen pak nga pak nën qeverisjet e ndryshme dhe tani gjuha kurde mund të flitet në publik, por në xhami gjuha zyrtare mbetet turqishtja.

Besimi islam është i kontrolluar rreptësisht nga organi shtetëror turk i quajtur Dixhanet, i cili mbikqyr të gjithë veprimtarinë e xhamisë.

Një grup imamësh të moshuar dhe studiues të Islamit nga një grup i quajtur Diaxh-der, udhëheq protestat anemanbanë zonës juglindore me shumicë kurde. Ata drejtohen nga Zahit Ciftkuran i cili thotë se ata vendosën të protestojnë mbasi kërkesat e tyre për reforma, u injoruan.

“Ne i kërkuam Dixhanetit i cili kontrollon besimin në Turqi që t’i kemi faljet në gjuhën tonë amtare, sepse, - thotë ai-, sipas Islamit ju jeni i detyruar të dëgjoni dhe të kuptoni atë që thuhet. Por kërkesat tona u injoruan, e në vend të kërkesës sonë, qeveria nisi 10 mijë imamë të rinj në këtë vend, të cilët nuk kanë lidhje me këtë tokë, ndaj ne e shohim këtë strategji si një lloj asimilimi fetar.”

Protesta duket se kanë shkaktuar probleme për kryeministrin Recep Taip Erdogan, partia e të cilit krenohet si mbrojtëse e lirisë së besimit.

Në një fjalim të rëndësishëm të mbajtur javën e kaluar në Dixharbakir nga kryeministri Erdogan, pjesa më e rëndësishme e fjalimit i ishte kushtuar fshikullimit të protestave.

“Ata refuzojnë të luten përpara një imami të vendosur nga shteti”, - tha ai. “Por ata nuk janë besimtarë. Ata shohin Oçalanin si profet. Ata po ju tallin. Na lini t’u japim një mësim atyre”

Sulmi i zotit Erdogan ndaj kurdëve dhe Abdullah Oçalanit - udhëheqësit të grupit rebel kurd, PKK, i cili është i burgosur-, shkaktoi frikë mes shumë kurdëve, madje dhe mes disa prej zyrtarëve të tij të lartë kurdë. Nënkryetari i Partisë me bazë islamike AKP në Dixharbakir, Muhamed Akr, thotë se bojkotimi i xhamive është një fillesë për një ndryshim të rëndësishëm në politikat rajonale.

“Personalisht mbështes protestat. Mendoj se është pozitive pasi është një e drejtë bazë, ndonëse nuk është politika e partisë sime “- thotë ai. “Kërkesa për liri besimi vjen nga rritja e lëvizjes fetare kurde. Ky rajon tradicionalisht ka qenë i devotshëm ndaj fesë, dhe lëvizjet e besimit tani po ristrukturohen. Katër ose pesë vjet më parë, unë kisha frikë se ndoshta do të ndodhnin përleshje mes laikëve nacionalistë dhe kurdëve besimtarë, por në fakt për herë të parë nacionalizmi kurd u bashkua me besimin.”

Mbështetësit e Partisë demokratike BDP, po punojnë shumë para zgjedhjeve. Në Dixharbakir dy në 6 kandidatë që mbështesin këtë parti janë figura fetare të mirënjohura në qytet.

Një prej tyre është Altan Tan. Ai thotë se së bashku me kërkesat e rëndësishme tradicionale për arsimimin në gjuhën kurde dhe autonomi lokale, është dhe kërkesa për të drejtat e besimit në gjuhën amtare.

“ Kur Lutheri publikoi biblën në gjuhën gjermane, askush nuk e kuptonte biblën deri në atë moment. Edhe kurdët duan t’a mësojnë besimin në gjuhën e tyre. Nëse ata nuk e zgjidhin këtë problem, ata nuk do të mund të bëjnë asgjë. Ne do t’a bëjmë Kurdistanin si Egjipti, Jemeni, Siria. Ne nuk e duam këtë. Ne duam kushtetutë të re, një marrëveshje me qeverinë, e cila do të na japë të drejtat tona”.

Thuhet se ushtria turke është e alarmuar për bojkotin e xhamive dhe ndryshimet në lëvizjen kurde.

Në përgjigje të kërkesave, Dixhaneti ka ndërrmarë disa hapa për të lejuar gjuhën kurde që të përdoret në disa xhami, apo të lejohen disa namaze në gjuhën kurde, si këto që po dëgjojmë të këndura nga Omer Kilic.

Kilic këndoi në një ceremoni fetare javën e kaluar në xhaminë kryesore të Dixharbakirit, e quajtur Ulu Cami. Për të kjo ishte një ngjarje e veçantë.

Ai thotë se ishte një mbrëmje e bukur, disa prej të moshuarve qanin, pasi për shumë prej tyre ishte hera e parë që të dëgjonin suret e kënduara në gjuhën e tyre në xhami. Ky është fillimi, thotë ai.

Cilido të fitojë zgjedhjet do të përballet me një lëvizje të ripërtëritur dhe më të bashkuar kurde, që kërkon reforma të themelta.

XS
SM
MD
LG