Lidhje

Qeveria e re britanike planifikon shkurtime masive për të ulur deficitin buxhetor

  • Zëri Amerikës

Kryeministri i ri britanik David Kameron ka deklaruar se gjendja financiare e vendit është më e rëndë se ç’mendohej më parë. Kjo gjendje, paralajmëroi zoti Kameron, kërkon shkurtime të mëdha në shpenzimet qeveritare për të shmangur një krizë si ajo që u vërejt në Greqi. Deficiti aktual buxhetor i Britanisë përllogaritet në rreth 226 miliardë dollarë, një ndër nivelet më të larta ndër vendet e pasura të botës:

Kryeministri David Kameron i paralajmëroi sot britanikët se i presin kohë të vështira përpara, ndërkohë që qeveria përgatitet për shkurtime të shpenzimeve buxhetore. Por këto shkurtime, shtoi zoti Kameron, do t’i mbrojnë britanikët nga norma më të larta të interesit.

Kryeministri i ri britanik po përpiqet të përgatisë terrenin për prezantimin e buxhetit të ri më 22 qershor ku do të mësohen në hollësi shkurtimet që qeveria i konsideron të nevojshme për ta ulur defiçitin buxhetor që përllogaritet në afro 11 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Është një realitet që janë detyruar ta përqafojnë shumë vende të tjera, nënvizon kryeministri britanik:

“Në të gjithë botën, popujt dhe qeveritë e tyre po e kuptojnë rrezikun që paraqet pasiviteti përballë borxheve. Britania duhet të luajë rolin e saj si pjesa tjetër e botës”.

Megjithëse ekonomia britanike nuk është në të njëjtën krizë si ajo greke, rasti i Greqisë duhet të shërbejë si shembull i kërcënimit që përfaqësojnë borxhet, thotë kryeministri Kameron. Ai fajësoi qeverinë e mëparshme laburiste për shpenzime të tepruara dhe parashikime jorealiste për rritjen e ekonomisë britanike. Tani britanikët, thotë ai, duhet të përgatiten për masa të vështira, por të nevojshme.

Ndër sektorët që do të preken të parët nga shkurtimet do të jenë përfitimet sociale, pagat e punonjësve të sektorit shtetëror dhe shpenzimet qeveritare. David Kameron si gjatë fushatës, edhe tani i përmbahet bindjes se ulja e deficitit buxhetor duhet të vijë përmes shkurtimit të shpenzimeve dhe jo rritjes së taksave.

XS
SM
MD
LG