Lidhje

Në analizë përparimi i bërë kundër varfërisë, SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera


Në analizë përparimi i bërë kundër varfërisë, SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera
Në analizë përparimi i bërë kundër varfërisë, SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera

Udhëheqësit botërorë po zhvillojnë një takim tre ditor të nivelit të lartë për të vlerësuar përparimin e bërë drejt dhënies fund të varfërisë globale, urisë dhe sëmundjeve deri në vitin 2015. Përpjekjet ambicioze filluan në vitin 2000, me krijimin e tetë objektivave të ashtëquajtura Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Në vijim një analizë e përparimit të bërë drejt synimit të 6-të – ai i luftës kundër virusit Hiv dhe Sidës, malaries dhe sëmundjeve të tjera si tuberkulozi, poliomeliti dhe fruthi – sëmundje vdekjeprurëse këto të gjitha por që janë të trajtueshme dhe të parandalueshme.

Çdo ditë më shumë se 7,400 vetë në mbarë botën infektohen me virusin Hiv që shkakton Sidën. 33 milion njerëz në të gjithë botën jetojnë me këtë virus – dy të tretat e të cilëve në Afrikën nën Sahariane.

Por Mishel Sidib, kreu i UNAIDS, thotë se është bërë përparim i ndjeshëm në luftën kundër epidemisë.

"Për herë të parë kemi një pakësim të infektimeve të reja me 25 përqind në 22 nga vendet më të prekura dhe më të infektuara në Afrikë. Kjo është e rëndësishme pasi nuk është thjesht pakësimi i numrit të infektimeve të reja, por pakësim i kostove të trajtimit, pasi ato nuk do të jenë të nevojshme".

Disa vende me epidemi të rëndë – përfshi Afrikën e Jugut, Zimbabvenë dhe Nigerinë, po drejtojnë përpjekjet për të ulur nivelin e infektimit. Shefi i UNAIDS thotë se ky fakt tregon se parandalimi po funksionon në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Mishel Kazatçkine, drejtor ekzekutiv i Fondit Global në Luftën kundër Sidës, Tuberkulozit dhe Malaries thotë se vazhdimi i këtij përparimit do të kërkojë mbështetje financiare të rëndësishme nga komuniteti ndërkombëtar.

"Kërkohen burime dhe kjo është një çështje shumë e vështirë në këto kohë krize, duke patur parasysh kufizimet në buxhetin e donatorëve. Nga prespektiva e Fondit Global ne kemi biseduar me donatorë dhe kemi thënë se për tre vjetët e ardhshme, do të na duhen nga 13 deri në 20 miliardë dollarë".

Zoti Kazatchkine pranon se kjo është një shumë e madhe. Por shton se është një investim për të shpëtuar jetët e miliona njerëzve.

Në shumë raste, Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit ndërthuren. Për shembull, përparimi në luftën kundër malaries, që vret një fëmijë çdo 45 sekonda në botë, mund të çojë në përparim drej synimit numër 4 – pakësimin e vdekshmërisë së fëmijëve. Ka një lidhje të ngjashme mes luftës kundër virusit Hiv/Sidë dhe uljes së vdekshmërisë së nënave që është synimi numër 5. Mishel Kazatçkine shpjegon.

"Kur flasim për Sidën, nuk mund ta ndash atë nga shëndeti i riprodhimit apo vdekshmëria e nënave. Mbi 50 përqind e vdekjeve tek gratë mes moshës 15 dhe 49 vjeçare në Afrikë vijnë nga Sida".

Si zoti Kazatçkine dhe Sidibe besojnë se do të jetë e mundur të arrihet pranë objektivit për të pakësuar sëmundjen – ndoshta edhe sipas planit. Por ata thonë se disa pengesa duhet të kapërcehen. Ata thonë se duhet të sigurohet financimi afatgjatë, ilaçet e përballueshme, sistemet kombëtare të shëndetit duhet të përmirësohen dhe diskriminimi kundër njerëzve që jetojnë me sëmundje të tilla si virusi Hiv dhe Sida duhet të eleminohet.

XS
SM
MD
LG