Lidhje

OKB, 40 miliardë dollarë për shëndetin e grave dhe fëmijëve

  • Zëri Amerikës

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon do të njoftojë një nismë të re, që synon të përmirësojë shëndetin e miliona grave e fëmijëve në mbarë botën. Kjo nismë do të jetë pjesë e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit.

Zoti Ban do ta njoftojë nismën zyrtarisht sot. Ky plan ka për qëllim të shpëtojë jetën e 16 milionë grave e fëmijëve gjatë 5 vjetëve të ardhshëm.

Ky njoftim bëhet në ditën e tretë e të fundit të takimit të nivelit të lartë të OKB-së, gjatë të cilit është vlerësuar përparimi i bërë në 8 objektiva të caktuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 2000. Këto objektiva përfshijnë uljen e varfërisë ekstreme, sigurimin e arsimit fillor në gjithë botën, ndalimin e përhapjes së virusit HIV dhe sëmundjes së SIDA-s dhe uljen e vdekjeve mes nënave shtatzanë dhe foshnjeve të tyre.

Kombet e Bashkuara thonë se shpenzimi i fondeve për shëndetin e grave dhe fëmijëve ul varfërinë dhe stimulon zhvillimin ekonomik. Sipas organizatës botërore, për shumën prej 40 miliardë dollarësh janë zotuar qeveri, fondacione, biznese dhe organizata jo-qeveritare.

Presidentë dhe kryeministra nga 140 vende po marrin pjesë në takimin 3-ditor për Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit.

Presidenti amerikan Barak Obama do të flasë sot në këtë forum.

Dje, udhëheqësit botërorë diskutuan përparimin e bërë dhe masat konkrete për të përbushur në kohë synimet e programit të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG