Lidhje

Administrata Obama, pro bisedimeve të Kabulit për paqe me talebanët

  • Zëri Amerikës

Administrata e presidentit Obama thotë se i mbështet përpjekjet e kohëve të fundit nga qeveria afgane për të arritur një marrëveshje paqeje me kryengritësit talebanë.

Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se Talebani duhet t’i nënshtrohet ligjit afgan, të heqë dorë nga besnikëria ndaj al-Kaidës dhe nga dhuna.

Zëdhënësi tha se presidenti Barak Obama i mbështet përpjekjet e pajtimit, megjithatë, i takon qeverisë afgane të negociojë paqen me talebanët.

Zoti Gibs nuk pranoi të komentonte mbi një shkrim në gazetën Uashington Post ku thuhej se udhëheqësit talebanë kanë filluar bisedimet sekrete me qeverinë afgane për të negociuar përfundimin e luftës.

Artikulli i gazetës citon burime anonime afgane dhe arabe që theksojnë se bisedimet janë paraprake.

Ata thonë se për herë të parë besojnë se përfaqësuesit talebanë janë plotësisht të autorizuar të flasin në emër të organizatës talebane afgane me bazë në Pakistan që drejtohet nga Muhamad Omar.

XS
SM
MD
LG