Lidhje

SHBA: shtohen masat e kontrollit për mallrat e transportit ajror

  • Kris Simkins

SHBA: shtohen masat e kontrollit për mallrat e transportit ajror

SHBA: shtohen masat e kontrollit për mallrat e transportit ajror

Shtetet e Bashkuara po marrin masa të tjera sigurie për transportin ajror të mallrave, pas zbulimit të një komploti për sulm terrorist, përmes dërgimit të pakove postare bombë nga Jemeni për në SHBA. Shefja e sigurisë kombëtare Janet Napolitano thotë se përveç Jemenit, Shtetet e Bashkuara kanë përfshirë edhe Somalinë në listën e vendeve nga të cilat nuk mund të dërgohen pako postare përmes ajrit në Amerikë. Ndërkohë, hetuesit vazhdojnë kërkimet për komplotin e dështuar të muajit të kaluar. Dy pako-bombë u gjetën brenda printerave në avionët që u nisën nga Jemeni, me destinacion dy sinagoga në Çikago. Autoritetet amerikane i kanë forcuar masat e sigurisë në aeroportet e vendit, në portet dhe në pikëkalimet kufitare tokësore.

Ekspertë të terrorizmit thonë se në se komploti i dështuar për hedhjen në erë të avionëve me destinacion Shtetet e Bashkuara do të kishte patur sukses, kjo do të kishte dëmtuar ekonominë botërore. Brad Garet ka qenë agjent i FBI-së.

"Nëse një avion me mallra hidhet në erë, kjo do të pasohej me mbylljen e transportit ajror të mallrave në mbarë botën".

Qeveria thotë se në Shtetet e Bashkuara hyjnë miliona tonë mallra në vit. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre kontrollohen. Ja si shprehet eksperti i sigurisë kombëtare Çarls Slepian:

"Akoma 90 për qind e mallrave që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nuk kontrollohen. Të paktën nuk kontrollohen në mënyrë që të mund të përcaktosh se çfarë ka brenda kutive".

Analistët thonë se kjo ndodh ngaqë kompanitë e transportit shpesh i lejojnë klientët e tyre më të besuar t’i dërgojnë paketat pa kontrolle të hollësishme. Mes faktorëve të tjerë janë kontrollet jo siç duhet në aeroportet ndërkombëtare dhe mungesa e makinerive të kontrollit. Zyrtarët amerikanë thonë se do ta shtojnë kontrollin e mallrave që hyjnë në vend, por dërguesit i kanë kundërshtuar kontrollet më të forta të mallrave ndërkombëtare për shkak të kostos. Ligjvënësi amerikan Ed Markey ka luajtur rol të rëndësishëm për t’i dhënë shtysë ligjit që kërkon që qeveria të kontrollojë 100 për qind të mallrave që transportohen permes avionëve të udhëtarëve. Por Administrata e Sigurisë së Transportit thotë se për momentin vetëm 65 për qind e mallrave kontrollohen me skanera.

"Al Kaida dëshiron të hedhë në erë avionë. Në se nuk merren masa sigurie për shkak të kundërshtimeve të industries për kosto të lartë, atëhere Al kaida do të bëjë komplote".

Muajin e kaluar hetuesit amerikanë arritën t’i kapin paketat me bombë në avionë pas një njoftimi të zyrtarëve të zbulimit në Arabinë Saudite. Ish-analisti i CIA-s për terrorizmin Fil Mad:

"Në këtë situatë kjo është kritike. Nuk e di se si mund ta ndalosh një gjë të tillë pa pezulluar tregtinë globale, veçanërisht në se nuk diktohet me saktësi se cila duhet kontrolluar".

Analisti kundër terrorizimit Bennet Waters thotë se komploti për sulme me bombë po ashtu thekson dobësitë në industrinë botërore të transportit të mallrave.

"Komuniteti ndërkombëtar nuk ka miratuar ende një standart për avionët e mallrave, si ato që ne kemi këtu brenda vendit".

Analistët për sigurinë kombëtare thonë se qeveria po ashtu duhet të përdorë kontrolle të njëllojta, si ato që përdoren në portet e vendit dhe në pikëkalimet kufitare tokësore. Në SHBA, agjentët e doganave dhe ata të mbrojtjes kufitare po rishikojnë listat e transportit për të përcaktuar se çfarë mallrash duhen inspektuar më nga afër para se të hyjnë në vend.

XS
SM
MD
LG