Lidhje

Ligji i Arizonës për imigracionin ngjall debate në Kaliforni


Ligji i Arizonës për imigracionin ngjall debate në Kaliforni
Ligji i Arizonës për imigracionin ngjall debate në Kaliforni

Një koalicion grupesh aktiviste kanë ngritur padi në Uashington, në përpjekje për të bllokuar një ligj në shtetin e Arizonës. Ligji kërkon që policia të marrë në pyetje persona që beson se janë futur në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Ligji që hyn në fuqi këtë verë, ka zgjuar një reagim të fortë në Kaliforninë fqinje dhe pjesë të tjera të vendit.

Protestat kundër ligjit të ri të Arizonës filluan në një numër qytetesh amerikane disa javë më parë, menjëherë pasi guvernatorja e këtij shteti e nënshkroi ligjin.

Presidenti Barak Obama ka folur kundër ligjit. Po ashtu edhe Presidenti i Meksikës, Felipe Kalderon.

Në Los Anxhelos, këshilli bashkiak dekretoi më 12 maj se zyrtarët e bashkisë nuk do të bënin biznes me kompanitë e Arizonës.

Ligji i Arizonës u jep të drejtë policëve të kontrollojnë statusin e imigracionit nëse besojnë se një individ mund të jetë futur në Amerikë në mënyrë të paligjshme. Ai po ashtu u kërkon imigrantëve të mbajnë dokumentat me vete.

Kritikët e ligjit thonë se imigrantët e paligjshëm kanë rëndësi për ekonominë amerikane. Në Kaliforni ka miliona të tillë dhe afro 500 mijë vetë në Arizonë dhe zakonisht ata nuk dallohen nga imigrantët e ligjshëm.

Analisti politik Raul Hinohoza i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos thotë se deportimi i gjysmë milion personave nga Arizona do të ishte jo-praktik dhe jo-njerëzor. Shteti, thotë ai, nuk mund ta përballojë mungesën e tyre:

“Sipas përllogaritjeve, nga 13 deri në 100 miliardë dollarë aktivitet ekonomik do të ndalte në Arizonë, nëse deportoheshin personat pa dokumenta në këtë shtet”.

Zoti Hinohoza thotë se studimet e Universitetit të Kalifornisë tregojnë se legalizimi i rreth 12 milionë imigrantëve të paligjshëm mund të rezultojë në një shtim prej 100 miliardë dollarësh të aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara. Por të tjerë thonë se imigrantët e paligjshëm e ngarkojnë tej mase sistemin e shërbimeve publike, shkollat dhe spitalet.

Në një qendër për punëtorë me mëditje në Kaliforni, imigrantët thonë se kanë ardhur në Amerikë për punë dhe i shqetëson ajo që po ndodh në Arizonë.

“Jam përpjekur të gjej informacion në lajme, në internet, në revista, por me sa shoh, ligji përqendrohet tek origjina hispanike, apo thjesht në faktin që dikush nuk ka dokumenta”, thotë një imigrant meksikan.

Punimet për një barrierë ndarëse në kufirin amerikano-meksikan janë pezulluar dhe senatori Xhon Mekein i Arizonës thotë se përfundimi i barrierës do të pengojë imigracionin e paligjshëm.

Hoze Feliz punon në qendrën e punëtorëve me mëditje në Los Anxhelos. Ai thotë se shumë nga imigrantët kanë vite që banojnë këtu, por jetojnë të fshehur.

“Nuk kanë mundësi të marrin shtetësinë, prandaj duhet të bëhen reforma në mënyrë që këta individë të legalizohen”.

Si përkrahësit, ashtu edhe kritikët e ligjit të Arizonës thonë se çështje duhet të trajtohet në nivelin federal dhe se Kongresi duhet të zgjidhë problemin delikat të reformave në imigracion.

XS
SM
MD
LG