Lidhje

Sekretarja Klinton do të shkojë në Ballkan për të nxitur dialogun Serbi - Kosovë

  • Dejvid Gollast

Sekretarja Klinton do të shkojë në Ballkan për të nxitur dialogun Serbi - Kosovë

Sekretarja Klinton do të shkojë në Ballkan për të nxitur dialogun Serbi - Kosovë

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha dje se do të shkojë muajin e ardhshëm në Ballkan për të nxitur pajtimin mes Serbisë dhe Kosovës. Zonja Klinton diskutoi çështjet e Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe Iranit me shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kathrin Ashton. Korrespondeti i Zërit të Amerikës pranë Departamentit të Shtetit, Dejvid Gollast, na sjell hollësi.

Turneu i sekretares Klinton në Ballkan pas dy javësh pasqyron shtetësimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin e rajonit dhe nevojën për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk ka pranuar asnjëherë zyrtarisht pavarësinë e ish provincës së saj.

Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Kosova është njohur nga rreth 70 vende, përfshirë Shtetet e Bashkura, por jo nga qeveria e Beogradit dhe aleatja e saj, Rusia.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi këtë muaj një rezolutë në të cilën bën thirrje për dialog mes Serbisë dhe Kosovës, dhe Presidenti serb Boris Tadiç ka thënë se bisedimet do të fillojnë sëshpejti.

Në një konferencë shtypi pas bisedimeve me shefen e diplomacisë evropiane, Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Bashkimin Evropian drejt integrimit më të gjerë evropian si për Serbinë ashtu edhe Kosovën.

"Pres me kënaqësi vizitat e mia në Beograd dhe Prishtinë dhe jo vetëm mundësinë për të biseduar me udhëheqësit e të dy vendeve, por edhe me qytetarët e tyre. Sepse është me rëndësi që qëllimi i asaj të ardhmeje të jetë i qartë në mendjet si të serbëve ashtu edhe të kosovarëve, sepse ekzistojnë çështje të vështira që ata duhet të zgjidhin. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të ndërmjetësojnë, të mbështesin dhe të vlerësojnë që palët të arrijnë marrëveshje me njera tjetrën. Por më në fund, u përket udhëheqësve dhe popujve të vendosin për të ardhmen e tyre”.

Nga ana e saj, zonja Ashton tha se Bashkimi Evropian pret të shikojë rezultate pozitive për këtë çështje dhe është e inkurajuar nga angazhimi për bisedime si i zotit Tadiç ashtu edhe i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

"Është tepër e rëndësishme të ecim përpara, që Beogradi dhe Prishtina, ashtu siç u kam thënë Presidentit Tadiç dhe Kryeministit Thaçi kur u takova me ta javën e kaluar, se ne të gjithë duhet të angazhohemi në këtë proces dhe të zhvillojmë një dialog konstruktiv drejt të ardhmes që unë besoj se është e ardhmja evropiane”.

Sekretarja Klinton do të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Bosnje- Hercegovinën gjatë turneut të saj në Ballkan që fillon pas dy javësh. Ajo do të takohet gjithashtu edhe me udhëheqësit e NATOs në Bruksel.

Zyrtarët amerikanë kanë qënë të shqetësuar rreth tensioneve politike ndëretnike në Bosnje-Hercegovinë që mund të minojnë paqen politike që ka ekzistuar në vend që nga marrëveshjet e Dejtonit në 1995, të cilat i dhanë fund luftrave brutale disa vjeçare në rajon.

Klinton dhe Ashton diskutuan gjithashtu përpjekjet e Shteteve të Bashkaura dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat janë kërcënuar nga skadimi të djelën e kalur i moratoriumit dhjetë mujor të ndërtimeve të vendbanive izraelite në pjesën më të madhe të Bregut Perëndior.

Zonja Ashton tha se do të shkojë të mërkurën në rajon për t’iu bashkuara përpjekjeve të të dërguarit amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll për zgjidhjen diplomatike të problemeve. Ashton dhe Mitçëll pritet të takohen të enjten në Jeruzalem.

XS
SM
MD
LG