Lidhje

SHBA: Intensifikohet fushata për zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan

  • Sindi Sejn

SHBA: Intensifikohet fushata për zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan

SHBA: Intensifikohet fushata për zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan

Anketat e opinionit publik tregojnë se partia republikane e opozitës ka një avantazh të qartë, ndërsa partia demokrate e presidentit Barak Obama ka të ngjarë të pësojë humbje të thellë në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres. Por zoti Obama po e lufton këtë epërsi të republikanëve me masa për të nxitur ekonominë. Ai foli për këto masa të premten në një konferencë shtypi dhe më parë në fjalime në disa shtete të rëndësishme, që u ngjanin fushatave elektorale.

Presidenti Barak Obama ka dalë në mbrojtje të politikave të tij, duke propozuar shkurtime të reja taksash për bizneset dhe shpenzime në projekte të infrastrukturës për të nxitur ekonominë dhe për të krijuar vende pune.

Në një miting pranë Klivlendit në shtetin Ohajo, zoti Obama tha se amerikanët janë të zemëruar dhe të shqetësuar lidhur me nivelin e lartë të papunësisë. Ai akuzoi republikanët e opozitës se po e përdorin këtë shqetësim për përfitime politike.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur erdha në këtë zyrë pas zgjedhjeve të fundit, por ajo që nuk ka ndryshuar është zgjedhja me të cilën përballet ky vend. Zgjedhja mes frikës dhe shpresës, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Zgjedhja mes kthimit prapa dhe ecjes përpara. Ky është thelbi i këtyre zgjedhjeve – dhe zgjedhja që duhet të bëni në nëntor”.

Presidenti kritikoi ashpër disa herë udhëheqësin e pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Beinër. Zoti Beinër është nga shteti Ohajo dhe ka kritikuar politikat ekonomike të zotit Obama në disa fjalime në Klivlend.

“Presidenti Obama duhet të kërkojë dhe të pranojë dorëheqjen e anëtarëve të grupit të tij ekonomik, duke filluar nga sekretari i Thesarit Timoti Gaitner e deri tek kreu i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Leri Samërs”.

Zoti Beinër i ka bërë thirrje presidentit të zgjasë shkurtimet e taksave të zbatuara nga presidenti Xhorxh Bush, për të gjithë amerikanët pavarësisht nga të ardhurat e tyre. Zoti Obama kërkon të mbajë shkurtimet e taksave, por jo për ata që kanë të ardhura vjetore mbi 250 mijë dollarë.

Demokratët kanë tani shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, por zoti Beinër shpreson të bëhet kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve në se republikanët fitojnë shumicën e vendeve në zgjedhjet e nëntorit.

Dejvid Mark është kryeredaktor i agjencisë së lajmeve tek Politiko. Ai thotë se nismat ekonomike të presidentit Obama nuk kanë të ngjarë të kenë ndikim të madh në zgjedhjet e nëntorit, pasi edhe në se Kongresi i miraton, ato nuk do të hyjnë në zbatim për disa muaj.

“Mendoj se ky është një problem i madh për presidentin. Ai është i gozhduar nga niveli i lartë i papunësisë, 9,5 apo 9,6 përqind, dhe nga shifrat ekonomike në përgjithësi shumë të ulta për momentin. Për sa kohë që situata është e tillë, ajo do të jetë problem për zotin Obama”.

Uilliam Galston në Institutin Brukings ka të njëjtin mendim.

“Njerëzit e kanë ndarë mendjen për ekonominë, ata e dinë situatën në të cilën janë dhe e dinë punën që ka bërë presidenti. Kjo nuk do të thotë se që nga këto zgjedhje deri në ato të 2012-ës njerëzit nuk do të ndryshojnë mendim.”

Por tani për tani, presidenti Obama është përqendruar më shumë tek zgjedhjet e nëntorit – më pak se dy muaj larg – sesa tek zgjedhjet për mandatin e tij të dytë, dy vjet më vonë.

XS
SM
MD
LG