Lidhje

Demografët: Përbërja etnike në SHBA po ndryshon


Demografët: Përbërja etnike në SHBA po ndryshon
Demografët: Përbërja etnike në SHBA po ndryshon

Demografët thonë se përbërja etnike e SHBA po ndryshon. Ata presin të ketë një numër më të madh hispanikësh nga regjistrimi i popullsisë për vitin 2010. Ata thonë gjithashtu se ideja e një grupi shumicë në SHBA nuk do të ekzistojë në dekadat e ardhshme. Në fakt, Zyra e Regjistrimit të Popullsisës Census, ka thënë se deri në vitin 2050, pakicat aktuale do të jenë shndërruar në shumicë. Shumë prindër dhe shkolla në SHBA po i përgatisin fëmijët për një realitet të ri kur të rriten.

Kjo nuk është thjesht një vizitë tek doktori. Për Silvia Osorion, ky është një rast tjetër për të parë vajzën e saj që do të lindë së shpejti. Osoria thotë se vajza e saj jo vetëm që do të rritet në një botë më të avancuar teknologjikisht, por edhe mes një numri më të madh njerëzish që ngjajnë si ajo.

"Mendoj se ajo do ta ketë më të lehtë për t’u arsimuar dhe për të patur më tepër mundësira në jetë."

Hispanikët si Osoria janë grupi etnik që po rritet më shpejt në SHBA. Carl Haub i Zyrës së Referencës së Popullsisë thotë, se brenda 5 vjetësh, lindjet e shumicës së foshnjeve të racës së bardhë mund të pakësohet me 50 për qind.

Për më tepër, raporti i lindjeve dhe vdekjeve është një me një për shumicën e bardhë. Ndërsa për çdo hispanik që vdes, lindin 20 foshnje të reja.

"Hispanikët janë me të vërtetë motorri që ndihmon në drejtimin e këtij ndryshimi të madh në përbërjen tonë etnike."

Arsyet e këtij ndryshimi përfshijnë arsimimin dhe të ardhurat. Sipas demografëve, gratë që bëjnë pjesë në shumicën e bardhë kanë prirjen të jenë më të arsimuara dhe me punë të mira. Ky grup ka prirjen të ketë më pak fëmijë. Ndërsa gratë që janë më pak të arsimuara dhe fitojnë më pak para kanë prirjen të lindin më shumë fëmijë.

Enrike Torriko punon me prindërit me pak të ardhura në Centro Nia, një shkollë me dy gjuhë në Washington, ku 78 për qind e familjeve e konsiderojnë veten si hispanikë.

"Shpresoj që niveli i diskriminimit dhe racizimit të jetë më i ulët. Të paktën ngjyra e lëkurës, apo gjuha që ata flasin të jetë më pak e rëndësishme dhe të jenë të rëndësishme njohuritë e tyre, aftësia dhe si mund të kontribuojnë tek komuniteti."

Demografët thonë se shumë hispanikë që vijnë në SHBA janë nga Meksika. Imigrantët e rinj nuk jetojnë më në shtete kufitare me Meksikën. Ata migrojnë pranë komuniteteve bujqësore në pjesën qendrore të vendit, ku ka punë.

"Kjo për faktin se shumë fëmijë të bardhë largohen, ngaqë nuk duan të jetojnë në ferma. Pas 40-50 vjetësh, do të shohim më tepër fytyra hispanikësh në mbarë vendin… dhe koncepti i popullsisë në shumicë nuk do të ekzistojë më".

Ndryshimi i përbërjes ndërtenike e shqetëson Jennifer Salehin, e cila është e martuar, me dy fëmijë.

"Shqetësimi im është për mundësitë që do të kenë, si shkollimi, burimet. Çfarë do të ndodhë me to, si do të ndahen?"

Aktualisht, shumë universitete në SHBA po kërkojnë të jenë më të shumëllojshëm përsa i përket përbërjes etnike dhe racore, sepse studentët e bardhë tani për tani përbëjnë shumicën e studentëve.

Enrique Torrico thotë se në të ardhmen, përbërja racore dhe etnike nuk do të jenë më tipare për specifikimin e njerëzve.

"Do të jetë më e rëndësishme për shembull të dish një gjuhë tjetër, apo të mësosh për popujt e tjerë."

Ai thotë se studentët duhet të përgatiten për realitetin e ri, duke mësuar më tepër se një gjuhë dhe duke përqafuar të gjitha kulturat.

XS
SM
MD
LG