Lidhje

Peshkatarët vietnamezë e kamboxhianë në Luiziana nën presionin e katastrofës ekologjike


Peshkatarët vietnamezë e kamboxhianë në Luiziana nën presionin e katastrofës ekologjike
Peshkatarët vietnamezë e kamboxhianë në Luiziana nën presionin e katastrofës ekologjike

Në Luizianën e jugut, aktiviteti i peshkimi është paralizuar, që kur u mbyllën zonat e pasura me peshk, si rezultat i derdhjes masive të naftës në Gjirin e Meksikës. Tani peshkatarët e mbetur pa punë po përpiqen të gjejnë punësim në sektorë të tjerë. British Petroleum ka rekrutuar ekipe lokale lundrimi për përpjekjet e pastrimit. Ndër grupet që punojnë në këto operacione ka plot peshkatarë vietnamezë dhe kamboxhianë, që jetojnë në brigjet e Gjirit.

Ka plot prej tyre këtu, të punësuar nga kompania BP për pastrimin e zonës. Pjesa më e madhe flasin vietnamisht por ka edhe kamboxhianë. Sipas Departamentit të Luizianës për Faunën dhe Peshkun, afro 80 për qind e liçencave për peshkim në këtë shtet janë marrë nga individë me mbiemra aziatikë.

Tuan Nyguen mbush formularët e nevojshëm në zyrën e tij. Nyguen u vendos këtu në vitet ’80, ashtu si shumë vietnamezë të tjerë nga rajonet e peshkimit në deltën e lumit Mekong. Ai ka krijuar një biznes të suksesshëm të shitjes me shumicë, por ka pasur plot peripeci. Uragani Katrina në 2005 ia shkatërroi biznesin.

“Gjatë Katrinës, humba gjithçka, të gjitha i kisha krejt të reja”.

Nyguen thotë se i ka shteruar kursimet duke u paguar rrogat peshkatarëve që kanë mbetur pa punë dhe tani po mendon të punojë për BP. Është hera e parë që punësohet nga dikush tjetër:

“Nuk e kam bërë kurrë në jetë. E kam disi të vështirë, prandaj jam ende pa punë”.

Një tjetër vietnamez, Chamroeun Kang, shpreson të punojë për BP. Kang ka një anije për peshkimin e karkalecave të detit dhe një skaf të vogël me një ekuipazh prej 2 vetash – ai dhe e shoqja. Që pas mbylljes së ujërave të peshkimit, ata s’kanë si të sigurojnë jetesën. Gjithë ditën ai ka kapur një peshk:

“Kam dy anije. Një të madhe dhe një të vogël këtu pranë. Nëse më punësojnë, do të shkoj në çfarëdo anije që të më japin, pasi më duhet të siguroj jetesën.”

Ndryshime të tilla janë të vështira për çdo peshkatar, por për vietnamezët dhe kamboxhianët që janë vendosur këtu, një tjetër vështirësi haset edhe në përpjekjet për të kërkuar punësim dhe kompensim nga kompania BP. Pjesëtarët e këtij komuniteti thonë se janë të vendosur të tregojnë të njëjtën vendosmëri gjatë muajve të ardhshëm, si 20 vjet më parë, kur erdhën këtu për të filluar një jetë të re.

XS
SM
MD
LG