Lidhje

Derdhja e naftës rrezikon peshkimin dhe traditat e Luizianës

  • Brian Wagner

Derdhja e naftës rrezikon peshkimin dhe traditat e Luizianës

Derdhja e naftës rrezikon peshkimin dhe traditat e Luizianës

Autoritetet amerikane kanë shtuar zonën e kufizimit të peshkimit në Gjirin e Meksikës për shkak të shqetësimeve të ndotjes nga rrjedhja e naftës. Derdhja e naftës përbën kërcënim për sigurinë e produkteve të detit nga Gjiri, dhe për të ardhmen e industrisë së peshkimit në Luiziana dhe shtetet përreth.

Dëmet e mjedisit nga derdhja e naftës po përhapen në mbarë vijën bregdetare të Luizianës. Ekipet po dërgohen në Liqenin Barre për të pastruar moçalishtet e goditura nga derdhja e naftës. Zyrtarët thanë se nafta po lëviz drejt brigjeve, megjithë masat për ta mbajtur atë të izoluar.

Ekspertët ambjentalistë thanë se nafta ka të ngjarë të fashisë gjelbërimin e moçalishtes. Por ekipet përpiqen ta mbledhin atë para se të përhapet në zona të tjera. Oficeri i Rojes Bregdetare Adam Wine thotë se puna përfshin përdorimin e pajisjeve speciale për të pastruar naftën.

“Nafta po shkon në drejtime të ndryshme. Ne nuk po e shohim ende në breg por ajo vjen dhe ngec në barërat e moçalishtes. Ngjitet ndaj çdo gjëje dhe veçanërisht barit”.

Kompania e naftës BP po përgatit përpjekjen e fundit për të mbyllur rrjedhën gjashtë javore të naftës. Por ndërsa nafta vazhdon të derdhet në Gjirin e Meksikës, gjithnjë e më shumë komunitete po i ndjejnë efektet e saj.
Zyrtarët vendorë dhe ligjvënësit po zhvillojnë takime publike për të dëgjuar nga shitësit dhe peshkatarët. Shumë thonë se janë duke punuar, por janë të shqetësuar për sa kohë do të mund të vazhdojnë.

Autoritetet amerikane kanë mbyllur 26 përqind të ujrave federale për peshkim për shkak të ndotjes. Por ata thanë se Gjiri i Meksikës vazhdon të jetë i hapur dhe prodhimet detare nga zonat e paprekura janë të sigurta.
Zyrtarët e Luizianës thanë se rreziqet vijnë jo vetëm nga nafta por nga kimikatet që po hidhen në ujë, por produktet e detit në treg janë të sigurta. Shkencëtari i ambjentit Jeff Dauzat thotë se zyrtarët po testojnë peshkun në gjithë shtetin.

“Tani ne po testojmë për hidrokarbure dhe bakterie të tjera, por duam të testojmë edhe për përbërës të tjerë kimikë që mund të jenë të pranishëm në përzierjet për shpërndarjen e naftës”.

Megjithë ndotjen banorët vendas thonë se nuk do të heqin dorë nga prodhimet e detit. Qindra vetë shkuan aty për të marrë pjesë në panairin e prodhimeve të detit në Belle Chasse.

“Kishte karkaleca të zier dhe të zgarës. Çdo lloj ushqimi që të shkon në mendje”

Gocat e zgarës janë një tjetër ushqim i preferuar. Por kapja e gocëve të detit dhe karkalecave është pakësuar nga derdhja e naftës. Disa shqetësohen se furnizimet do të fillojnë të bien për shkak të çmimeve në rritje. Ray Oelking shet supë me karavidhe – një specie ujore që është prekur nga rrjedhja e naftës.

“Çmimet e të gjitha produkteve të detit do të rriten, nga karkalecat, gaforet, gocet e me rradhë”.

Shumë të pranishëm në panair thanë se është më e rëndësishme se kurrë më parë mbështetja e industrisë së peshkut. Debra Bychurch thotë se derdhja e naftës po kërcënon mënyrën e jetesës në mbarë rajonin.

“Ka peshkatarë që e kanë ngritur këtu jetën e tyre. Kjo ndotje ndikon shumë në kulturën tonë dhe është gjithashtu pjesë e rëndësishme e të ardhurave tona".

BP po premton të paguajë kompensime për të prekurit. Disa banorë janë të shqetësuar se asnjë pagesë nuk mund të ç’bëjë dëmin e shkaktuar.

XS
SM
MD
LG