Lidhje

Klinton: Politika e jashtme e administratës Obama po jep rezultate të mira

  • Dejvid Gollast

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton thotë se strategjia e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Obama për rindërtimin e aleancave dhe për ushtrimin e të ashtuquajturës fuqi e butë ka filluar të japi rezultate. Por zonja Klinton paralajmëroi se shtimi i borxhit qeveritar ka filluar ta dëmtojë influencën amerikane nëpër botë. Fjala e Sekretares Klinton në Këshillin për marrëdhëniet me Jashtë në Uashington pati formën e një raporti për politikën e jashtme të administratës Obama gjatë një viti e gjysmë në pushtet.

Ajo tha se politika e jashtme e administratës për rindërtimin e aleancave tradicionale dhe veprime shumëdrejtimore, në ndryshim nga ajo e administratës Bush që mbështetej në fuqinë ushtarake, është duke dhënë rezultate. Zonja Klinton deklaroi se udhëheqja globale e Shteteve të Bashkuara mbetet esenciale dhe se Shtetet e Bashkuara “mundet, duHet dhe do të” udhëheqin në shekullin e ri, edhe nëqoftëse do ta bëjnë këtë në forma të reja.

Por në seancën pyetje-përgjigje, sekretarja Klinton vuri në dukje gjithashtu se sigurimi kombëtar dhe ndikimi global i Shteteve të Bashkuara po kërcënohen nga barra e rëndë i borxheve, për të cilat ajo akuzoi administatën Bush që shkurtoi takat pa kriter dhe ndërmori luftërat në Irak dhe Afganistan, duke marrë fonde hua.

"Kjo dobëson kapacitetin tonë për të vepruar në shërbim të interesave tona më të mira. Kjo na pengon atje ku nuk duam të kemi pengesa. Kjo dërgon gjithashtu një mesazh dobësie në mbarë botën. Është shumë shqetësuese për mua që ne po humbasim aftësinë që jo vetëm të mos vendosim fatin tonë, por të mos kemi atë influencë ekonomike që ka mbështetur vlerat dhe interesat tona për shumë e shumë vite”.

Sekretarja Klinton përmendi mes arritjeve të administratës rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, që ajo ia atribuoi pjesërisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një force efikase sigurie të Autoritetit Palestinez.

Ajo tha se udhëheqja amerikane ka sjellë vendosjen e sanksioneve të frota dhe të gjithashëshme kundër Iranit lidhur me programin e tij bërthamor. Zonja Klinton tha se Teherani po fillon të ndjejë ndikimin ekonomik dhe tha se shpreson që kjo do të çojë në një zgjidhje përmes negociatave.

Zonja Klinton komentoi gjithashtu gjerësisht për njoftimin e një kleriku të krishterë në Florida se synonte të digjte Kuranin me rastin e përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Sekretarja Klinton tha se shpreson që kleriku, në emër të një akti patriotik, ta rishikojë planin e tij, por theksoi se nëse ai e bën atë që ka paralajmëruar, kjo nuk përfaqëson pikpamjet e shumicës së Amerikanëve.

"Është për të ardhur keq që një pastor në Geinsvill të Floridës, me një kishë që nuk ka më shumë se 50 njerëz, të bëjë një plan të tillë indinjues, të dëshpëruar dhe të shëmtuar për të tërhequr vemendjen e botës. Por kjo është bota në të cilën ne jetojmë tani. Plani i tij nuk përfaqëson në asnjë mënyrë Amerikën, amerikanët, qeverinë amerikane, apo udhëheqjen fetare apo politike të Amerikës”.

Sekretarja Klinton tha se në epokën e re të medias, çdo kush që ka bllogun apo i-fonin e tij mund të thotë diçka indinjuese që të tërheqë vëmendjen e botës. Ajo tha se amerikanët duan të vlerësohen për çfarë ata janë në të vërterë si komb dhe jo nëpërmejt deklaratave të papërgjegjshme të dikujt, kushdo qoftë ai.

XS
SM
MD
LG