Lidhje

SHBA: E ardhmja e politikës 'Mos pyet, mos trego' për homoseksualët


SHBA: E ardhmja e politikës 'Mos pyet, mos trego' për homoseksualët

SHBA: E ardhmja e politikës 'Mos pyet, mos trego' për homoseksualët

Senati amerikan ka tani vota të mjaftueshme për të vazhduar përpjekjet për miratimin e projektligjit që do t’i lejonte homoseksualët për të shërbyer hapur në ushtrinë amerikane. Ligji i tanishëm, i ashtuquajturi, “Mos Pyet, Mos Trego” i lejon homoseksualët të shërbejnë në forcat e armatosura vetëm në se prirjet e tyre seksuale mbahen sekret. Është e paqartë nëse ka kohë të mjaftueshme që Senati të debatojë dhe të votojë mbi këtë çështje deri në fund të vitit.

Ndoshta asnjë nismë legjislative nuk ka përjetuar ngritje dhe ulje këtë vit, sesa çështja për t’i dhënë fund ligjit “Mos Pyet, Mos Trego”, i cili ka çuar në përjashtimin nga radhët e ushtrisë të gati 14 mijë homoseksualëve, që kur filloi zbatimi i tij në vitin 1993.

Në janar, presidenti Barak Obama njoftoi se do të kërkonte shfuqizimin e ligjit. Shpejt pas kësaj, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates dhe Shefi i Shtatëmadhorisë amerikane Mike Mullen thanë se ata gjithashtu besonin se ndalimi i shërbimit të hapur të homoseksualëve në ushtri duhet të përfundonte.

Pentagoni kërkoi kryerjen e një studimi të gjerë për të pvlerësuar reagimin që do të ngjallte brenda ushtrisë ndryshimi i kësaj politike dhe për të parë se si do të zbatohej ky ndryshim pa dëmtuar moralin në kohë lufte.

Ndërkohë një nen për të shfuqizuar ligjin iu bashkangjit projektligjit për shpenzimet vjetore të mbrojtjes. Projektligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve por u shty në Senat ku republikanët përdorën një manovër parlamentare për të bllokuar debatin mbi legjislacionin.

Me kohën që nuk pret për veprime, dhe me republikanët që shtojnë numrin e tyre në Senat në fillim të vitit të ardhshëm, përkrahësit e shfuqizimit thanë hapur se shanset më të mira për t’i dhënë fund kësaj politike mund të mos kthehen më.

Por nuk është kështu sipas senatorit të pavarur Xho Liberman.

"Kam bindjen se kemi më shumë se 60 vota për ta çuar projektligjin e Autorizimit të Mbrojtjes me kërkesën për shfuqizimin e ligjit Mos Pyet, Mos Trego. Ne do të vazhdojmë të luftojmë në emër të ushtrisë amerikane derisa të arrijmë synimin tonë".

Përveç demokratëve, zoti Liberman thotë se ai ka marrë premtime nga dy senatorë republikanë, Susan Kollins nga shteti Mejn dhe Riçard Lugar nga Indiana.

Pas kësaj, qarkulluan njoftime se dy republikanë të tjerë, Lisa Murkowski e Alaskës dhe Xhon Ensign i Nevadës ishin gjithashtu të përgatitur të votonin për të shfuqizuar ligjin në se studimi i Pentagonit arrinte në përfundimin se ai nuk do të shkaktonte problem në ushtri.

Studimi do të publikohet më 1 dhjetor, por hollësitë e tij arritën të merren nga gazeta The Washington Post. Studimi përfundon në konkluzionin se ligji Mos Pyet Mos Trego mund të hiqet duke ndikuar pak ose aspak në efektshmërinë ushtarake dhe se 70 përqind e trupave amerikane kanë pak apo aspak kundërshtim për të shërbyer përkrah ushtarëve homoseksualë.

Tani shtrohet pyetja në se Senati mund të veprojë në javët e fundit të 2010-ës.

Senatorja demokrate Barbara Bokser në Kaliforni thotë se ligji duhet të shfuqizohet.

"Ne duhet të shkojmë drejt barazisë ose do të humbasim parimet e vendit tonë. Dhe kjo vote është për të lëvizur drejt barazisë. Njerëzit po luftojnë për vendin tonë. Dhe për asnjë arsye e gjejnë veten të përjashtuar nga ushtria për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me aftësitë e tyre për të luftuar dhe për të mbrojtur vendin".

Por jo të gjithë janë të bindur se kjo politikë duhet të ndryshojë. Senatori republikan John Mekein nga Arizona thotë se studimi i Pentagonit është difektoz pasi synimi i tij kryesor ishte të analizonte sesi do të zbatohej sa më mirë shfuqizimi i ligjit – dhe jo në se ai duhej të shfuqizohej apo jo.

"Dua një studim të hollësishëm dhe të plotë për efektet morale dhe ndikimin që do të ketë në fushën e betejës në se ky ligj shfuqizohet. Dua të dëgjojë drejtuesit ushtarakë, ashtu siç kam bërë për vite, dhe jo studimet që arrijnë të zbulohen edhe nga media".

Gati të gjithë aleatët e Amerikës në Nato lejojnë që homoseksualët të shërbejnë lirisht në ushtri. Vendet që nuk e lejojnë këtë janë Kuba, Siria, Irani dhe Koreja e Veriut. Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve kërkojnë t’i jepet fund ligjit Mos Pyet, Mos Trego.

XS
SM
MD
LG