Lidhje

"Grantet për Gjenitë" një mjet i suksesshëm për nxitjen e shpirtit krijues

  • Adam Filips

Xhejson Moran, Fitues i Grantit

Xhejson Moran, Fitues i Grantit

Fondacioni John D. dhe Catherine T. MacArthur shpalli javën e kaluar fituesit e sivjetshëm të bursave “Genius” - “Gjeniu”. Secili nga 23 fituesit përfiton shumën 500 mijë dollarë që do t’u jepen gjatë pesë vjetëve për ta përdorur si e shohin të arsyeshme.

Fituesit e sivjetshëm të bursave MekArthur u takojnë fushave të ndryshme – përfshirë antropologjinë, studime linguistike mbi gjuhën e shenjave, astrofizikën kuantike, muzikën improvizuese të xhazit dhe skulpturën.

Sipas fondacionit MekArthur, që ndan shpërblimet të cilat i quan “grante për gjenitë”, përfituesit janë “individë të talentuar të cilët kanë treguar origjinalitet të jashtëzakonshëm dhe përkushtim në punën e tyre krijuese, si dhe aftësi të spikatur për vetëudhëheqje”.

Vetëudhëheqja ishte e nevojshme për Anetë Gordon-Rid nga Universiteti Harvard, libri kundërthënës i së cilët “Një familje amerikane: Hemingsët e Montiçellos”, fitoi çmimin Pulitzer për histori më 2009 dhe Çmimin Kombëtar për Librin në kategorinë e librit jo-artistik më 2008. Libri përshkruan marrëdhëniet mes Tomas Xhefersonit, autori i Deklaratës së Pavarësisë dhe presidenti i tretë i Amerikës, me Selli Hemings, skllavja e tij afrikano-amerikane, e cila thuhet se pati disa fëmijë me të.

Zonja Gordon-Rid thotë se paratë nga bursa MekArthur do t’i përdorë për të mbuluar shpenzimet e hulumtimeve të reja që po bën tani.

“Mendoj se puna ime tregon sa e ndërlikuar ishte e kaluara amerikane. Amerika nuk ishte kurrë një vend vetëm i të bardhëve. Ishte një vend i të bardhëve, afrikano-amerikanëve dhe amerikanëve vendas. Puna ime dëshmon këtë duke ndërthurur historinë e njerëzve të ndryshëm në tregimin për zanafillën e Amerikës. Është një mënyrë e re e studimit të historisë, dhe kjo bëhet përmes jetës së Xhefersonit, i cili është figurë themelore në historinë amerikane.”

Janë ndryshimet në Kinë dhe ndikimet e tyre në jetën e përditshme që mahnisin bursisten e fondacionit MekArthur, Jijun Li, shkrimtare që ka marrë lëvdata në mbarë botën për librat “Njëmijë vjet lutje të mira” dhe “Endacakët”. Libri më i ri i saj, “Djalë i Artë, Vajzë e Smeraldtë”, u botua këtë muaj.

“Nuk më interesojnë statistikat. Më interesojnë tregimet individuale. Kur shkruan letërsi artistike, kur shkruan për qeniet njerëzore, të intereson bota e brendshme dhe bota e tyre e brendshme ndryshon shumë më ngadalë sesa bota e jashtme. Andaj, kujtoj se tregimi të lejon të depërtosh më thellë, në mos të zgjerohesh.”

Jeta nënujore është fokusi i fituesit tjetër të bursës MekArthur, Xhon Dabiri, profesor aeronautike në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni.

“Studiojmë kandilat e detit dhe mënyrën si notojnë nga këndvështrimi inxhinierik, duke u përpjekur to kuptojmë se çfarë i bën ata të efektshëm dhe sesi janë në gjendje të notojnë shpejt dhe të manovrojnë. Pastaj i marrim këto ide dhe përpiqemi t’i zbatojmë në teknologji të ndryshme. Lidhja më e drejtpërdrejtë është me pajisjet që punojnë nën ujë. Por kemi punuar edhe në energjinë e erës, të frymëzuar nga ajo që kemi mësuar prej kafshëve. Jemi munduar edhe të zhvillojmë mënyra më të efekshme për të diagnostifikuar problemet me zemër, në bazë të asaj që dimë për rrymën që krijojnë kandilat e detit kur notojnë.”

Shpesh vënia në zbatim e ideve është përpjekje kolektive, por fondacioni MekArthur përqendrohet në vlerësimin e shirtit të krijimtarisë individuale.

Zyrtarët e fondacionit shpresojnë se bursistët mund t’i përdorin shpërblimet e tyre “për të zbuluar ose bërë diçka të re ose për të zbuluar lidhje domethënëse ndërmjet objekteve apo fenomeneve që duken të shkëputura”. Nga ky këndvështrim, mund të përfitojnë të gjithë amerikanët.

XS
SM
MD
LG