Lidhje

Aktivistët, mendime të ndryshme për gjendjen e të drejtave të njeriut në SHBA

  • Elizabeth Lee

Aktivistët, mendime të ndryshme për gjendjen e të drejtave të njeriut në SHBA

Aktivistët, mendime të ndryshme për gjendjen e të drejtave të njeriut në SHBA

Më 10 dhjetor bota shënoi Ditën e Drejtave të Njeriut, një ditë që përkon me miratimin në vitin 1948 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Edhe pse SHBA janë një shoqëri demokratike me të drejta, që përfshijnë të drejtën e fjalës, fesë dhe barazisë para ligjit, disa aktivistë të të drejtave të njeriut thonë se SHBA kanë shkelur të drejtat e njeriut.

Xhon Bolton, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, është një mbrojtës i fuqishëm i Amerikës lidhur me të drejtat e njeriut.

“Ne jemi mbrojtësit më të fuqishëm të të drejtave të njeriut dhe lirive individuale sot në botë dhe në gjithë historinë botërore”.

“Asnjë vend i botës nuk është i përkryer në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Profesoresha Hadar Harris, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtat e Njeriut dhe ligjit humanitar në Universitetin Amerikan, kritikon Shtetet e Bashkuara, se të ndaluarit vazhdojnë të qëndrojnë në Gjirin e Guantanamos, edhe pasi Presidenti Barak Obama tha se ai do ta mbyllte qendrën.

Ne kemi njerëz që janë mbajtur në Guantanamo për shumë vite me radhë, pa ju komunikuar akuzat dhe pa vëzhgimin e nevojshëm. Ne kemi detyrimin si aktivistë të të drejtave të njeriut që të ushtrojmë presion për mbylljen e qendrës së Guantanamos dhe fillimin e një procesi të përshtatshëm për identifikimin e personave që duhen gjykuar dhe për lirimin e atyre që janë të pafajshëm”.

Por Xhon Bolton thotë se Shtetet e Bashkuara mund t’i mbajnë personat nën arrest, kur ata janë terrositë dhe të burgosur lufte.

“Edhe pse Konventa e Gjenevës ka të bëjë me shtetet, ato nuk përfshijnë grupet terroriste. Edhe Konventa e Gjenevës thotë se një i burgosur lufte mund të ndalohet gjatë vazhdimit të konfliktit. Lufta globale kundër terrorizimit mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Në se terroristët zgjedhin rrugën e gabuar dhe e gjejnë veten në Guantanamo për një kohë të gjatë, ky është problemi i tyre dhe jo i yni”.

Hadar Harris po ashtu flet për çështjen e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është një çështje tepër shqetësuese përsa i përket zbatimit dhe përdorimit të vazhdueshëm. Do të ishte mirë që dënimi me vdekje të ndalohej”.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje, këtë vit në Shtetet e Bashkuara janë ekzekutuar më tepër se 40 persona të dënuar për vrasje.

Por Michael Paranzino i grupit që mbron dënimin me vdekje “Throw Away the Key”, thotë se dënimi me vdekje i personave të gjetur fajtor për vrasje, i jep një lloj qetësie familjeve të viktimave.

“Mendoj se ky debat duhet përqëndruar tek dëmi i madh dhe për një kohë shumë të gjatë, që u shkaktohet familjeve të viktimave”.

Aktivistët e të drejtave të njeriut po ashtu kritikojnë Shtetet e Bashkuara që nuk i kanë ratifikuar traktatet më të rëndësishme të OKB-së. Ndërsa shumica e vendeve anëtare të OKB-së kanë ratifikuar Konventën për Eliminimin e Diskriminimit të Grave, deri tani Senati nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Të vetmet vende që nuk e kanë ratifikuar janë Somalia dhe Shtetet e Bashkuara”.

John Bolton thotë se Shtetet e Bashkuara kanë ligjet për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të fëmijëve.

“Ne mund ta marrim vendimin bazuar se çfarë është e përshtatshme për qeverinë tone. Ne nuk kemi nevojë për një traktat ndërkombëtar që të na thotë se si të veprojmë.

Zoti Bolton thotë se ata që kanë kritika ndaj Shteteve të Bashkuara duhet të përqëndrohen tek gjendja e të drejtave të njeriut në vende jo-dmeokratike, si Irani dhe Kina.

XS
SM
MD
LG