Lidhje

SHBA: Vazhdojnë debatet për reformat në imigracion

  • Kris Simkins

Ndërsa Kongresi amerikan e quan të përfunduar tashmë çështjen e kujdesit shëndetësor, dy ligjvënës, senatori republikan Lindsi Graham i Karolinës së Jugut dhe ai demokrat Çak Shummer i Nju Jorkut, pritet që këto ditë të paraqesin në Senat një ligj për reformën e sistemit të imigracionit. Në qendër të debatit është një propozim për t’i dhënë status ligjor miliona imigrantëve të paligjshëm që jetojnë në SHBA. Çështja ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe kohët e fundit dhjetra mijëra përkrahës të reformës së imigracionit marshuan në Uashington.

Uolltër Kastro, i cili marshoi kohët e fundit në Uashington erdhi në SHBA nga El Salvadori, kur ishte 7 vjeç. Ai mbështeti me fonde fushatën elektorale të Presidentit Obama dhe përkrah reformën e imigracionit. Kastro thotë se duhet të ketë një rrugë ligjore drejt dhënies së nënshtetësisë amerikane rreth 11-12 milion imigrantëve të paligjshëm që jetojnë në SHBA.

"Do të doja që ata të legalizohen, edhe në se do t’u duhet t’i paguajnë taksat për vitet e qëndrimit këtu dhe njëkohësisht, edhe gjoba."

Miratimi i ligjit të imigracionit nuk është i sigurt, për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga shumica e ligjvënësve republikanë.

"Ne nuk na duhet të importojmë një klasë tepër të varfër, të pa arsimuar dhe që jeton me ndihma sociale," thotë Dan Stein, President i Federatës për Reformën amerikane të imigracionit. Ai e kundërshton me forcë çdo masë që i jep amnisti imigrantëve të paligjshëm.

"Askush nuk duhet të flasë për një program amnistie, për dy arsye. Së pari, ai nxit një numër më të madh njerëzish të vijnë ilegalisht. Së dyti, i dekurajon njerëzit që mund të jenë kthyer në vendet e tyre."

Ndërsa Jesenia Sauçedo është shtetase amerikane, nëna e saj nuk është dhe ajo mund të dëbohet në vendin e saj, në Meksikë. Jesenia do që ligjvënësit ta zgjidhin çështjen e imigracionit, duke i konkretizuar në ligj vite të tëra me premtime.

"Mundësia e vetme është tani. Nuk mund të presim për më vonë, sepse familjet kanë për t’u ndarë, njerëzit do të dëbohen dhe kjo nuk është e drejtë."

Studimet e kohëve të fundit tregojnë se fluksi i imigrantëve të paligjshëm që vijnë nga Meksika është ngadalësuar paksa. Analistët thonë se kjo ndodh pjesërisht në saje të rënies ekonomike, rregullave më të forta kufitare dhe shtimit të kontrolleve në vendet e punës nga policia për imigrantë të paligjshëm. Por përkrahësit e reformës së imigracionit thonë se rruga e legalizimit drejt nënshtetësisë për punëtorët pa dokumenta do të ndihmojë në fuqizimin e ekonomisë amerikane. Eliseo Medina është nën president i Sindikatës Ndërkombëtare të Punonjësve të Shërbimeve, sindikata më e madhe e punëtorëve imigrantë.

"Vlerësohet që në se legalizojmë rreth 11 deri në 12 milionë imigrantë të paligjshëm, kjo do të çonte në rritjen e ekonomisë amerikane me 1,5 trilionë dollarë dhe nga kjo përfitojmë të gjithë."

Po Janet Kephart e Qendrës së Studimeve për Imigracionin në Washington nuk është e këtij mendimi. Ajo thotë se t’i japësh amnistinë miliona imigrantëve të paligjshëm do ta vështirësojë gjetjen e punës për amerikanët.

"Po t’i japësh amnisti 11 milion punonjësve pa dokumenta, do të vështirësohet gjetja e punës për amerikanët. Pra njerëzit që kanë shkelur ligjin dhe kanë punuar ilegalisht, do të konkurojnë me amerikanët për vendet e punës."

Tre vjet më parë, përpjekjet për reformën e imigracionit dështuan, megjithë mitingjet masive në të gjithë vendin nga grupet e të drejtave të imigrantëve. Por muajin e kaluar, dy senatorë, Lindsi Graham i Karolinës së Jugut dhe Çak Shumer i Nju Jorkut, paraqitën një plan që u bën thirrje imigrantëve të paligjshëm të paguajnë taksat për vitet që kanë punuar dhe jetuar në SHBA dhe të kryejnë punë për komunitetin, në mënyrë që të fitojnë statusin legal. Po ashtu, plani bën thirrje për lejimin e punonjësve të përkohshëm në vend, në përshtatje me nevojat e ekonomisë. Kongresmeni demokrat Çarls Gonzales nga Teksasi thotë se është optimist se ligji për reformën e imigracionit mund të miratohet këtë vit.

"Nuk dua t’i ushqej shpresat e njerëzve dhe pastaj ata të zhgënjehen; pra do të jetë një përpjekje e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur."

Analistët politikë dyshojnë që ligji për reformën e imigracionit do të miratohet këtë vit me zgjedhjet e nëntorit për në Kongres. Por këta aktivistë thonë se nuk do të sprapsen dhe do të vazhdojnë të ushtrojnë presion në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres për reformimin e sistemit amerikan të imigracionit.

XS
SM
MD
LG