Lidhje

Këshilli i Sigurimit fillon debatet mbi një raund të ri sanksionesh kundër Iranit


Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara filloi konsultimet mbi mundësinë e një raundi të katër sanksionesh kundër Iranit për shkak të programit të debatueshëm bërthamor të këtij vendi.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha sot se është optimist se këshilli do të miratojë së shpejti rezolutën me sanksione të reja. Një diplomat francez në Kombet e Bashkuara tha se një votim mbi këtë çështje mund të merret qysh të mërkurën.

Irani paralajmëroi se çdo sanksioni i ri ndërkombëtar do të sillte fundin e bisedimeve mbi këtë çështje.

Presidenti Mahmoud Ahmadinejad tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë gabim në se mendojnë se mund të vendosin sanksione e më pas të ulen për bisedime me Iranin.

Kryeministri rus Vladimir Putin tha se për rezolutën praktikisht është rënë dakort. Por ai shtoi se sanksionet nuk duhet të kalojnë masën apo të krijojnë barriera në rrugën e Iranit drejt sigurimit të energjisë bërthamore për qëllime paqësore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre akuzojnë Iranin se po përpiqet të prodhojë armën bërthamore. Irani i mohon akuzat.

XS
SM
MD
LG