Lidhje

Irani mbetet çështje kyçe e politikës së jashtme të administratës Obama


Irani mbetet çështje kyçe e politikës së jashtme të administratës Obama
Irani mbetet çështje kyçe e politikës së jashtme të administratës Obama

Një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme të administratës Obama është si të bindet Irani të heqë dorë nga programi i tij i pasurimit të uraniumit. Analisti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera, bisedoi për çështjen e Iranit me dy ish zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë besuar për vite me radhë se programi i Iranit për pasurimin e uraniumit ka për qëllim prodhimin e një arme bërthamore. Irani ka thënë se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore, siç është prodhimi i energjisë elektrike.

Në përpjekje për ta bindur Iranin t’i japë fund programit të tij bërthamor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar katër herë rezoluta për t’i vënë sanksione Teheranit. Krahas kësaj, disa vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë marrë masa nga ana e tyre.

Gjenerali në pension i Korpusit të Marinës, Antoni Zini, thotë se sanksionet mund të jenë thikë me dy presa.

"Ne duhet të sigurohemi që sanksionet të mos rëndojmë mbi popullin e Iranit më shumë se sa mbi regjimin. Ato janë një instrument i fortë në shumë raste dhe kanë si objektiv regjimin. Por më në fund rëndojnë mbi popujt”.

Megjithatë, ish sekretari amerikan i Shtetit, Lorenc Igëllbërger, thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Iranit.

"Para sëgjithash, komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë shumë më tepër nga sa ka bërë deri tani. Me këtë dua të them se komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe jo vetëm ne, duhet ta bllokojë Iranin të shtjerë në dorë materiale për prodhimin e armëve dhe për më tepër duhet t’ia bëjë jetën tepër të vështirë nëse vazhdon me këtë synim”.

Lidhur me këtë, gjeneral Zini thotë se përreth Iranit duhet krijuar një strukturë rajonale sigurimi.

"Ne kemi njerëz në rajon që janë shumë të shqetësuar për shkak të Iranit. Mendoj se ne nuk kemi punuar për të krijuar një strukturë sigurmi në atë pjesë të botës që t’i tregojë Iranit se do të izolohet. Irani përbën kërcënim serioz për vendet fqinje, të cilat i kanë drejtuar sytë nga ne dhe vende të tjera për një sistem të përbashkët mbrojtës, ndoshta në fushën e mbrojtjes nga ajri dhe raketat, si dhe programe të tjera, të cilat do të tregonin se ne jemi të përgatitur për të përballuar çdo kërcënim”.

Ndërkohë që ka ndjekur rrugën diplomatike me Iranin, administrata Obama ka thënë se të gjitha opsionet mbeten të hapura, pa përjashtuar veprimet ushtarake. Lorenc Igëllbërger mbështet ndërhyrjen ushtarake, por jo vetëm ndaj Iranit.

"Në rastin e Koresë së Veriut, nëse do të na duhej të përdornim forcën, unë do të thosha se duhej ta kishim përdorur. Unë do të thosha të njejtën gjë për Iranin, nëse nuk ka rrugë tjetër për ta bindur Iranin të heqë dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore. Problemi me këtë është, dhe jam i pari që e pranoj, se kjo do ta tmerronte komunitetin ndërkombëtar. Kjo do të tmerronte edhe opinionin publik amerikan, nëse ne do të ndëmerrnim me të vërtetë masa ushtarake kundër Iranit. Por do të thosha se tmerri i sotëm do të ishte i vogël, krahasuar me tmerrin që do të përfshinte të gjithë botën, nëse një ditë do ta gjenim veten të angazhuar në një luftë bërthamore diku”.

General Zini është dakord që të gjitha opcionet të mbeten të hapura. Por ai gjithashtu paralajmëron se ndërhyrja ushtarake kundër Iranit mund të ketë pasoja të rënda.

"Nëse situata do të përdundonte në konflikt, me goditje dhe kundërgoditje, ajo do të ndikonte në qasjen ndaj burimeve të rëndësishme energjetike, do të prekte ekonominë botërore, do të ngjallte reagime në botën islamike, nëse do të shikohej si ndërhyrje e rrufeshme. Sidoqoftë, progaganda iraniane do ta lunte këtë kartë. Aftësia e Iranit të qëllojë me raketa nga shtretër të lëvizshëm, të vërë mina në Ngushticën e Hormuzit, të aktivizojë celula terroriste, të gjitha këto mund të përshkallëzohen deri në një pikë, ku do të kishim një konflikt të madh dhe pikërisht në zemër të burimeve energjetike tek të cilat varet ekonomia botërore”.

Gjeneral Zini dhe analistë që mendojnë si ai, thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë një zgjidhje diplomatike për ambicjet bërthamore të Iranit, me qëllim që të shmangë një goditje të mundëshme ushtarake me pasoja të rënda për të gjitha palët e interesuara.

XS
SM
MD
LG