Lidhje

Zyrtarët amerikanë dhe irakianë shkëmbejnë komente mbi të ardhmen e marrdhënieve për mbrojtjen


Zyrtarët amerikanë dhe irakianë shkëmbejnë komente mbi të ardhmen e marrdhënieve për mbrojtjen
Zyrtarët amerikanë dhe irakianë shkëmbejnë komente mbi të ardhmen e marrdhënieve për mbrojtjen

Duke marë parasysh pamundësinë e politikanëve irakianë për të formuar qeverinë dhe me afrimin e dy afateve të tërheqjes së trupave amerikane, zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë po shkëmbejnë komente mbi të ardhmen e marrdhënieve dy palëshe në fushën e mbrojtjes.

Çdo javë mijëra trupa luftarake amerikane largohen nga Iraku, ndërkohë që prania e ushtrisë amerikane në vend po ulet me shpejtësi drejt numrit të përcaktuar prej 50 mijë trupash deri në fund të këtij muaji. Edhe pse kanë mbetur vetëm tre javë nga afati i tërheqjes, të dielën e kaluar kanali televiziv i Pentagonit njoftoi mbylljen zyrtare të misionit amerikan luftarak në Irak.

Tani, fokusi i ushtrisë amerikane në Irak zhvendoset tërësisht në këshillimin dhe stërvitjen e forcave irakiane. Edhe emri zyrtar i misionit do të ndryshojë me 1 shtator nga Operacioni Liria e Irakut në Operacioni Agimi i Ri. Dhe sipas marrëveshjes SHBA-Irak të nënshkruar në vitin 2008, do të ketë edhe një fazë tjetër të tërheqjes së trupave amerikane, duke i dhënë fund pranisë së trupave amerikane në Irak me 31 dhjetor të vitit 2011. Por që nga nënshkrimi i marrëveshjes ekspertët dhe zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë prisnin se para zbatimit të plotë të marrëveshjes ajo mund të ndryshohej.

“Nuk është e befasishme, por unë mendoj se ne duhet ta shohim këtë nga një perspektivë tjetër”.

Ky ishte reagimi i Michael O’Hanlon nga Instituti Brookings ndaj komenteve që një oficer i lartë i ushtrisë irakiane, gjeneral lejtnantit Babakir Zebari i bëri të mërkuren. Gjenerali irakian tha se Iraku do të ketë nevojë për praninë e trupave amerikane edhe 10 vite të tjera.

“Ajo që gjenerali irakian po përpiqet të bëjë është vendosja e trysnisë mbi politikanët e vendit të tij dhe t’i kundërvihet supozimit të tanishëm se Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të largohen nga fundi i vitit të ardhshëm”.

Eksperti O’Hanlon thotë se gjenerali Zebari pasqyron pikëpamjet e shumë ushtarakëve irakianë dhe amerikanë, të cilët besojnë se Iraku do të ketë nevojë për fuqinë ajrore të Shteteve të Bashkuara, trajnuesit, forcat speciale dhe mbështetje të tjera pas vitit 2011. Dhe ai thotë se ekziston një arsyetim më i gjërë i kësaj çështje, gjithashtu.

“Përse të rrezikosh largimin e një miku të mirë të popullit irakian, dhe këtë forcë stabilizuese, të pavarur dhe neutrale që e gjejnë tek ushtria e Shteteve të Bashkuara, kur nuk është e sigurtë se të gjitha plagët e irakianëve janë shëruar siç duhet që vendi të ecë drejt stabilitetit”.

Plagët e pashëruara përfshijnë mosmarrëveshjet mes irakianëve suni dhe shiit, dhe mes komunitetit arab dhe atij kurd. Dhe ekziston mundësia se qeverisja e pa barabartë, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe gjendja e vështirë e sistemit të drejtësisë mund të krijojë kushte për rikthimin e militantëve. Ekspertët gjithashtu theksojnë se Iraku duhet të vazhdojë profesionalizimin dhe modernizimin e forcave të tij për të cilën nevojitet ndihma e huaj. Disa analistë thonë se burimi më i logjikshëm i një ndihme të tillë janë Shtetet e Bashkuara.

Por perspektiva e vazhdimit të pranisë së trupave amerikane në Irak përtej vitit 2011 është çështje politike e ndjeshme në të dyja vendet. Zyrtarët amerikanë thonë se ata po punojnë për zbatimin e planit për tërheqjen e plotë, por ata janë të hapur për bisedime nëse një gjë e tillë kërkohet nga qeveria e Irakut. Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates e tha këtë para gazetarëve.

“Unë mendoj se ne e kemi një marrëveshje me irakianët për të cilën të dy qeveritë kanë rënë dakord se ne do të largohemi nga Iraku në fund të vitit 2011. Nëse formohet qeveria e re atje dhe ata duan të bisedojnë për këtë çështje, ne jemi të hapur për një diskutim të tillë. Por, iniciativa duhet të vij nga irakianët”.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje politikanëve irakianë të tejkalojnë dallimet e tyre dhe të formojnë qeverinë e re për të trajtuar çështje tjera të rëndësishme, përfshirë çështjen e largimit të trupave amerikane. Zyrtarët irakianë janë duke u grindur që kur zgjedhjet parlamentare të marsit lanë dy koalicionet kryesore politike me pushtet pothuaj të barabartë.

Ekspertët thonë se çështja e trupave ka të ngjarë të mos zgjidhet para se Iraku të ketë qeverinë e re dhe deri atëherë kur dy vendet do të kenë mundësi të vlerësojnë nivelin përgatitor të forcave irakiane mbi marrjen e përgjegjësive për sigurinë e vendit të tyre. Ndërkohë, zyrtarët në Bagdad dhe Washington kohë pas kohe do të ofrojnë mendimet e tyre, në përpjekje për ta mbajtur të gjallë debatin mbi këtë çështje dhe për të promovuar pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e çështjes në fjalë.

XS
SM
MD
LG