Lidhje

Izraeli hedh poshtë propozimin për komision shumëkombësh për hetime

  • Zëri Amerikës

Izraeli hedh poshtë propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon për ngritjen e një komisioni shumëkombësh për të hetuar rrjedhën e ngjarjeve gjatë ndërhyrjes izraelite në flotiljen e ndihmave për Gazën. Zyrtarët thonë se Shefi i OKB-së kishte emëruar ish kryeministrin e Zelandës së Re Geoffrey Palmer si kryetar të komisionit, që do të përfshinte përfaqësues nga Izraeli, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Benjamin Netanjahu e diskutoi sot propozimin me kabinetin e tij.

Kabineti i ministrave u mblodh sot për të diskutuar mundësinë e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të hetuar operacionin vdekjeprurës të forcave izraelite në flotiljen e ndihmave për Gazën. Anëtarët e kabinetit izraelit e kanë kundërshtuar me forcë ngritjen e këtij komisioni.

“Nuk mendoj se ka vend për hetime ndërkombëtare. Nuk e kuptoj përse kërkesa të tilla i vijnë vetëm Izraelit. Dihet mirë që ka pasur bllokada detare në vende të tjera të botës, shpesh herë të justifikueshme, si dhe shumë operacione ushtarake, nganjëherë fatkeqësisht edhe me viktima civile si në Afganistan, Irak apo Çeçeni. Nuk kam dëgjuar të njëjtat thirrje për hetime për këto vende. Më duket shumë hipokrizi”, thotë ministri izraelit i financave.

Thirrjet për hetime ndërkombëtare e kanë vënë Izraelin nën presion më të madh për të shpjeguar se si ndërhyrja e forcave izraelite për të bllokuar lundrimin e flotiljes mori përmasa të përgjakshme. Po ashtu një hetim i tillë mund të hedhë dritë edhe mbi motivet dhe planet e disa prej pasagjerëve të anijeve. Izraeli i ka akuzuar disa nga aktivistët e flotiljes për terrorizëm dhe i ka identifikuar si provokatorë që çuan në ndërmarrjen e masave të forta nga forcat izraelite:

“Dje të gjithë e panë qartë dallimin mes një flotiljeje të vërtetë ndihmash dhe një flotiljeje që sjell urrejtje, të mbushur me ekstremistë që mbështesin terrorin. Në të dyja rastet Izraeli përdori të njejtat metoda, u ofruam anijeve mundësinë të ankoroheshin në Ashdod, ku të inspektoheshin për trafik armësh dhe pastaj ndihmat të dërgoheshin në Gazë,” thotë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Ndërkaq, Kombet e Bashkuara po bëjnë thirrje për ndihma me fonde dhe furnizime, përndryshe Gaza mund të ndodhet përballë një gjendjeje kritike pas 3 vjet bllokade.

Zyrtari i Agjencisë së OBK-së për Ndihma dhe Projekte Humanitare thotë se fondet do të shterojnë në shtator, nëse nuk ka angazhime të reja për ndihma.

Izraeli këmbëngul se bllokada është e nevojshme për të mos lejuar futjen e armëve për Hamasin që organizon sulme ndaj territorit izraelit. Por faktikisht, efikasiteti i bllokadës është dobësuar nga një rrjet tunelesh nëntokësore ndërmjet Gazës dhe Egjipit, ku trafikantët kalojnë armë dhe mallra tregtie.

Bllokada, thonë kritikët, vetëm ka thelluar ndjenjat negative e 1.5 milionë banorëve të Gazës ndaj Izraelit, pa rritur rezistencën e popullatës palestineze ndaj Hamasit.

XS
SM
MD
LG