Lidhje

Obama, Netanjahu, takim në Shtëpinë e Bardhë pas incidentit të flotiljes

  • Meredith Buel

Nesër kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Barak Obama. Këto do të jenë bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që pas operacionit të forcave speciale izraelite ndaj flotiljes që çoi në vrasjen e 9 aktivistëve pro-palestinezë. Bisedimet zhvillohen ndërkohë që afron një moment i rëndësishëm për procesin izraelito-palestinez të paqes dhe gjatë një zhvendosjeje të strategjisë turke në Lindjen e Mesme:

Operacioni izraelit që la të vrarë 8 turq dhe një amerikan me prejardhje turke në flotiljen e ndihmave, u pasua me protesta të ashpra në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Lindjen e Mesme. Flotilja po udhëtonte drejt Gazës dhe incidenti solli përsëri në qendër të vëmendjes bllokadën izraelite ndaj Gazës, një rrip bregdetar përgjatë Mesdheut ku banojnë 1.5 milionë palestinezë.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara nuk i kanë dënuar veprimet izraelite, Presidenti Obama u takua me Presidentin palestinez Mahmud Abaz për të diskutuar krizën humanitare në Gazë:

“Është e rëndësishme të zbulojmë të gjitha faktet. Por gjithashtu e kemi të qartë se gjendja në Gazë është bërë e paqëndrueshme”.

Fillimisht, kriza kërcënoi bisedimet jo të drejtpërdrejta të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Por i dërguari i posaçëm amerikan Xhorxh Miçëll rigjallëroi ecejaket diplomatike disa ditë para takimit Obama-Netanjahu.

Palestinezët kanë caktuar afat në shtator për raundin aktual të negociatave. Analisti i çështjeve të Lindjes së Mesme Shibley Telhami është profesor në Universitetin e Marylandit:

“Ekziston bindja e përgjithshme që përpjekjet diplomatike këtë radhë synojnë ta zgjidhin dhe jo ta mbajnë nën kontroll konfliktin. Pra ka një ndjesi urgjence. Po mbaron koha për zgjidhjen me ekzistencën e dy shteteve.”

Presidenti Obama e ka parashtruar si përparësi zgjidhjen me ekzistencën e dy shteteve, pra krijimin e një shteti palestinez.

Zoti Obama i ka bërë presion Izraelit të ndalë ngritjen e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndim dhe Jeruzalemin lindor, gjë që ka tensionuar marrëdhëniet.

Që kur Presidenti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur ndonjë përparim konkret drejt paqes. Danielle Pletka e Institutit American Enterprise fajëson presidentin:

“Mendoj se Presidenti ka arritur me sukses të gërryejë marrëdhëniet e veçanta të Shteteve të Bashkuara me Izraelin, pa diskutuar këtu tek marrëdhëniet e veçanta me një numër aleatësh të tjerë. Ai i ka vënë palestinezët në një pozitë mendjemadhësie, ku nuk kanë përse pranojnë asnjë ofertë më të ulët se ajo që ka kërkuar Presidenti amerikan. Ai ka arritur të hapë raunde negociatash me një perspektivë suksesi shumë më të ulët se çdo president i mëparshëm republikan apo demokrat. Pra gjërat kanë shkuar shumë keq”.

Disa analistë të Lindjes së Mesme thonë se bllokada izraelite në Gazë nuk e ka dëmtuar ndjeshëm grupin ekstremist Hamas, i cili mori nën kontrolli këtë territor në 2007. Por sulmi ndaj flotiljes ka acaruar marrëdhëniet e Izraelit me Turqinë, të cilat më parë ishin miqësore:

“Turqia po luante rol kyç në negociata. Keqësimi i marrëdhënieve turko-izraelite e ka vënë në pikëpyetje skemën strategjike”, thotë zoti Telhami.

Pas incidentit, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael dhe ka kërkuar nga Izraeli të kërkojë ndjesë dhe të kompensojë familjet e viktimave. Turqia ka bërë gjithashtu thirrje për heqjen e bllokadës ndaj Gazës dhe Izraeli ka filluar të lejojë më shumë artikuj në këtë territor.

Analistët thonë se veprimet e Turqisë janë shenjë e një zhvendosjeje strategjike nga Ankaraja:

“Turqia ka vendosur se orientimi i saj nuk do të jetë Bashkimi Evropian, nuk do të jetë Perëndimi, por Lindja e Mesme. Ajo që është më e keqja, ajo nuk po orientohet drejt botës arabe me të cilën kemi bashkëpunim, por drejt Sirisë, drejt Iranit dhe vendeve të tjera. Në këtë kontekst duhet ta analizojmë incidentin e flotiljes”.

Presidenti Barak Obama dhe kryeministri Benjamin Netanjahu pritet të përpiqen t’i kapërcejnë këto probleme. Herën e kaluar që kryeministri Netanjahu ishte në Uashington, pas fërkimeve lidhur me vendbanimet hebraike, dy udhëheqësit nuk dolën para fotoreporterëve dhe nuk mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.

XS
SM
MD
LG