Lidhje

Lobimi dhe organizatat hulumtuese në procesin politik amerikan

  • Zëri Amerikës

Lobimi dhe organizatat hulumtuese në procesin politik amerikan

Lobimi dhe organizatat hulumtuese në procesin politik amerikan

Lobimi është aspekt i rëndësishëm i politikëbërjes në Shtetet e Bashkuara. Kritikët thonë se lobistët ndikojnë në vendimmarje në dëm të interesit publik, por lobimi është aktivitet që mbrohet me kushtetutën e vendit. Ndërkaq, rol të rëndësishëm luajnë edhe organizatat kërkimore në Uashington, të cilat bëjnë hulumtime në çështje me rëndësi politike.

Ligjet në Shtetet e Bashkuara hartohen dhe miratohen përmes një procesi që duhet të jetë e hapur. Projekligjet paraqiten në Kongres, shqyrtohen dhe nëse miratohen, i dërgohen presidentit, i cili i nënshkruan duke i kthyer në ligje. Më pas ekzekutivi i zbaton ato ligje dhe qeveris në bazë të tyre, përmes departamenteve dhe agjencive të shumta.

Njerëzit dhe bizneset që preken nga këto ligje dhe rregullore përpiqen të ndikojnë në formimin dhe zbatimin e tyre. Kjo përpjekje për të ushtruar ndikim quhet lobim. Sipas vlerësimeve për vitin 2009, afro tre deri në katër miliard dollarë u shpenzuan për të ushtruar ndikim ndaj Kongresit dhe qeverisë. Një pjesë të mirë të këtij aktiviteti e ushtruan avokatët.

Një nga ata është Nicholas Allard, i cili thotë se avokatët luajnë rol të rëndësishëm në lobim.

“Nëse ka ligje që nuk janë hartuar siç duhet ose nëse nuk zbatohen në mënyrë të ndershme dhe nuk mundësojnë që rregullat të vlejnë njëlloj për raste të ngjashme, atëherë jemi dëshmitarë të rezultateve të dobëta dhe politikave të gabuara.”

Analistët thonë se lobistët janë me ndikim dhe nganjëherë arrijnë edhe të shkruajnë vetë ligjet që miraton Kongresi. Por ka edhe rregulla të cilave duhet t’u përmbahen. Profesori Mark Rom pranë Universiteti Georgetown shpjegon:

“Një gjë dihet: t’i japësh dikujt para për të kryer punë është kundër ligjit; të flasësh me dikë nuk është kundër ligjit. Por ka shumë mënyra sesi paratë futen në procesin politik dhe është vështirë të caktohet se ç’parashihet me rregulla.”

Media dhe vëzhguesit e etikës i kushtojnë vëmendje veprimtarisë së lobistëve, të cilët detyrohen të bëjnë publike shpenzimet e lobimit. Disa anëtarë të Kongresit madje edhe janë burgosur për veprime të jashtëligjshme, siç janë pranimi i dhuratave nga lobistët për të ndikuar ecurinë e votimit.

Ndërkaq, në kryeqytetin amerikan veprojnë edhe një numër organizatash kërkimore, shumica jofitimprurëse, si Instituti Brookings, Fondacioni Heritage ose Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Përveç hulumtimeve për probleme shoqërore, ekonomike, mjedisore apo strategjike, organizatat kërkimore japin edhe mendimet e tyre për legjislacionin dhe vendimet politike që duhet ndërmarrë.

Profesori Mark Rom shpjegon se përfaqësuesit e këtyre organizatave përpiqen të fitojnë mbështetje për propozimet e tyre dhe, në njëfarë mënyre, bëjnë edhe punën e lobistëve.

XS
SM
MD
LG