Lidhje

Vendlindja e Mark Tuenit kujton shkrimtarin e madh amerikan

  • Zëri Amerikës

Vendlindja e Mark Tuenit kujton shkrimtarin e madh amerikan

Vendlindja e Mark Tuenit kujton shkrimtarin e madh amerikan

Shkrimtari amerikan Ernest Hemingway ka thënë: “E gjithë letërsia amerikane moderne e ka burimin tek libri i Mark Twainit “Huckleberry Finn”. Vizitorët nga e gjithë bota vijnë në qytetin e vogël Hannibal në brigjet e lumit Mississippi në shtetin e Misurit, për të parë qytetin e Mark Twainit. Në këtë qytet gjenden shumë nga vendet që Twain i bëri të famshme në librat e tij “Aventurat e Tom Sawyerit dhe Hucleberry Finn-it”. Këtë vit mbushen 100 vjet nga vdekja e Mark Twainit dhe është njëkohësisht 125 vjetori i librit “Hucleberry Finn”. Qyteti i Hanibalit po i feston të dy këta përvjetorë:

Ai nuk lindi këtu dhe as nuk qëndroi këtu gjatë. Dikur shkrimtari i madh pati thënë “Unë isha qytetar i tij, po isha tepër i ri në atë kohë për t’i shkaktuar lëndime”. Por të gjitha vendet ku ai jetoi, të cilat i vizitoi, apo për të cilat ai shkroi, Hanibali i Misurit pati një vend të veçantë tek Mark Twaini.

"Pasi ai u largua nga Hanibali, unë mendoj që Hanibali nuk e bratisi më kurrë atë", thotë Henry Sweets. Ai punon në Shtëpinë – Muze të viteve fëmijërisë të Mark Twainit në Hanibali.

"Mendoj që ekspozimi që ai pati ndaj gjithshkaje, që nga shkolla ku mësonte, kisha ku shkonte e deri tek skllavëria, shumë nga këto eksperienca të fëmijërisë së Twainit pasuruan shkrimet e tij të mëvonshme".

Vendet të cilat Mark Twain i bëri të pavdekshme në librat “Aventurat e Huckleberry Finnit” dhe “Aventurat e Tom Sawyerit” ruhen nga muzeumi.

Shtëpia ku ai pati jetuar tërheq turistë nga e gjithë bota, ashtu sikurse gardhi i lyer me gëlqere të bardhë, që personazhi i tij, Tom Sawyeri, e leu me përtesë.

"Gjatë gjithë vitit, vijnë njerëz nga 70 deri 80 vende të ndryshme, të cilët nënshkruajnë në librin e përshtypjeve", thotë zoti Sweets.

Henry Sweets thotë se vitin e kaluar Hanibalin e vizituan rreth 300 mijë njerëz dhe rreth 20 për qind e tyre vizituan muzeun e Mark Twainit.

Numri i vizitorëve ka rënë, krahasuar me vitin e kaluar dhe shumë prej janë nga Mizuri dhe nga shtetet fqinje, se sa nga vende të huaja.

Drejtoresha e muzeut, Cindy Lovell, ia atribuon këtë recesionit global.

"Ekonomia nga turizmi jo vetëm që ndikon tek muzeu, por ndikon tek të gjithë, që nga hotelet, restorantet, dyqanet; të gjitha këto varen nga vizitorët që vijnë për të pare shtëpinë muze të Mark Twainit".

Zonja Lovell thotë se në kushtet kur numri i turistëve është pakësuar, muzeu ka më pak fonde për të shpenzuar për riparimin e ndërtesave, si psh Farmacia Grant, që përmendet tek disa nga historitë e Mark Twainit.

"Kjo ndërtesë është përfshirë në listën e objekteve kulturore më të rrezikuara të Misurit dhe është tepër e rëndësishme që ne ta ruajmë atë; por për këtë na duhen fonde".

Muzeu shpreson të sigurojë 10 milionë dollarë deri në fund të vitit 2010 për mirëmbajtjen e ndërtesave, të cilat ishin të rëndësishme për Mark Twainin. Drejtoresha e muzeut i bën thirrje për këtë publikut të gjerë.

"Ne po përpiqemi t’u drejtohemi një milionë admiruesve të Mark Twainit nga e gjithë bota dhe po i kërkojmë secilit prej tyre të dhurojnë vetëm nga 10 dollarë".

Cindy Lovell pohon se fondi i Mark Twainit po ndjek filozofinë e fushatës së donacioneve gjatë fushatës presidenciale të Presidentit Barak Obama, duke iu drejtuar një numri të madh njerëzish për donacione të vogla.

"Ngjan tamam me fushatën e Barak Obamës, dhe natyrisht, që unë po nisem nga suksesi që ai pati. Unë isha një prej këtyre donatorëve të vegjël".

Gjatë gjithë vitit 2010, Hanibali po feston 175 vjetorin e ditëlindjes së Mark Twainit, përvjetorin e botimit të romanit “Hucleberry Finn-it” dhe përvjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh.

XS
SM
MD
LG