Lidhje

Presidenti Obama prit në Shtëpinë e Bardhë Presidentin palestinez Abas


Presidenti Barak Obama priti sot në Shtëpinë e Bardhë Presidentin palestinez Mahmud Abas, për bisedime lidhur me çuarjen përpara të procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Zoti Obama e cilësoi situatën në Gazë “të paqendrueshme” dhe bëri thirrje për një përqasje të re për përmirësimin e kushteve të jetesës në territorin palestinez.

Duke folur lidhur me bllokadën izraelite në Gazë, presidenti amerikan tha se duhet të gjendet një mënyrë për të ruajtur sigurinë e Izraelit, ndërsa duhen lejuar edhe palestinezët të kenë një jetë të begatë. Zoti Abas i bëri thirrje Izraelit ta heqë atë që ai e cilësoi rrethim të popullit palestinez dhe të hapë të gjitha pikat kufitare. Zoti Obama po ashtu bëri të njohura planet amerikane për të siguruar 400 milionë dollarë shtesë në ndihma për palestinezët në Gazë dhe në Bregun Perëndimor.

Javën e kaluar, ushtria izralite sulmoi një grup anijesh që po çonin ndihma në Gazë, në përpjekje për ta thyer bllokadën izraelite. Gjatë operacionit u vranë 8 shtetas turq dhe një amerikano-turk. Zoti Obama e cilësoi incidentin tragjedi dhe përsëriti mbështetjen për thirrjen e Këshillit të Sigurimit për një hetim transparent.

XS
SM
MD
LG