Lidhje

Arsimi amerikan në gjendje kritike, mesazhi i një dokumentari të ri


Arsimi amerikan në gjendje kritike, mesazhi i një dokumentari të ri
Arsimi amerikan në gjendje kritike, mesazhi i një dokumentari të ri

“Waiting for ‘Superman” – “Duke pritur Supermenin” është filmi i ri dokumentar i regjisorit Dejvis Gugenhaim, fitues i çmimit Oskar. Ai e fitoi këtë çmim me filmin “Një e vërtetë e papërshtatshme” rreth ngrohjes globale. Filmi “Duke pritur Supermenin” është një këmbanë alarmi për rënien e cilësisë së arsimit publik në shkollat amerikane.

“Mes 30 vendeve të zhvilluara ne u renditëm të 25 në matematikë dhe të 21 në shkenca. Thuajse në çdo kategori ne ishim mbrapa, përveç njërës: fëmijët nga SHBA u renditën të parët në besimin tek vetja”. Ky është një ndër mesazhet e fimit të Dejvis Gugenhaim, i cili ka në qendër të subjektit 5 fëmijë të lagjeve të varfra që shkojnë në shkolla të dobëta. Ata ëndërrojnë që të shkojnë në shkolla më të mira. Por filmi tregon se nuk është e lehtë. Ata duhet të fitojnë lotarinë e shkollës.

“Tërheq një letër nga kutia, ose kompiuteri bën një përzgjedhje rastësore. Sepse në shkollat më të mira publike nuk ka vende bosh. Ndaj për të qenë të drejtë me të gjithë, ne e e lëmë të ardhmen e fëmijëve tanë në duart e fatit”.

Regjisori Gugenhaim tha për Zërin e Amerikës se ai është i zemëruar me gjendjen e arsimit publik.

“Është skandaloze, skandaloze! Prandaj e kam bërë këtë film sepse arrij ta kuptoj pozitën e këtyre fëmijëve”.

Ai thotë se ndjehet fajtor, pasi ai fëmijët e tij i çon në shkolla private.

“Unë e kreva rolin tim duke bërë këtë film. Por ka shumë mënyra të tjera: të jesh i përfshirë në shkollën lokale, të kërkosh mësues më të mirë, të kërkosh reforma”.

Mesazh i filmit është se mësuesit e paaftë dhe burokratët apatikë të shkollave i lënë fëmijët të paarsimuar.

Në film janë intervistuar dhe reformues të shquar të arsimit, mes tyre Xhefri Kanada. Ai ka krijuar Ambjentin e Fëmijëve të Harlemit në Nju Jork. Ky projekt ka ofruar një arsimim kualitativ për mijra nxënës të lagjeve të varfëra urbane. Kanada thotë se faktori kryesor për një arsimim të mirë, është një mësues i zoti.

“Ne duhet të sigurohemi që të vëmë profesinistët më të mirë për të mësuar brezin e ri. Duhet të inkurajojmë të rinjtë që të bëhen mësues”.

Zoti Kanada u rrit vetë në një lagje të varfër.

“Një prej ditëve më të trishtuara të jetës sime ishte kur nëna më tha se Supermeni nuk ekzistonte. Unë mendoja se ai do të vinte edhe në mes të getos”.

Kjo histori frymëzoi Dejvis Gugenhaim për të titulluar filmin “Waiting for superman”.

Xhefri Kanada thotë se mësuesit mund të jenë Supermenë për fëmijët e tyre. Mishel Ri, kancelarja e arsimit publik për Washingtonin, një figurë shumë polemizuese në kryeqytetin amerikan, është e të njëjtit mendim:

"Ti zgjohesh çdo mëngjes duke e ditur se fëmijët do të shkollohen shumë keq,” thotë zonja Ri.

Davis Guggenheim: “Pra ju mendoni se shumica e fëmijëve shkollohen keq”?

Mishel Ri: "Jo vetëm mendoj kështu... e di që është kështu”.

Në korrik, zonja Ri pushoi më shumë se 200 mësues. Dhe kjo i ka irrituar mësuesit e Uashingtonit, të mbrojtur tradicionalisht nga kontrata e punës.

Shumë argumentojnë se reformat e zonjës Ri janë një nga arsyet kryesore të humbjes së Kryetarit të Bashkisë së Uashingtonit në zgjedhjet brenda partisë para disa ditësh. Në nëntor Mishel Ri mendohet se mund të humbasë dhe vetë vendin e punës.

Rendi Uejngarden, presidente e Federatës së Mësuesve të Amerikës, gjithashtu është e pranishme në dokumentar. Ajo thotë se filmi nuk duhet të përqëndrohet vetëm tek mësuesit.

“Nuk mund të sakrifikosh mësues të veçantë ose të përqëndrohesh vetëm tek një pjesë e sistemit arsimor”.

Bill Gejts, fondacioni i të cilit ka shpenzuar 300 milionë dollarë për të forcuar shkollat amerikane, mbështet dokumentarin e Gugenhaimit:

“Ai të lejon të shohësh përmes syve të fëmijëve nëse do të arrijnë të shkojnë në shkolla të mira apo jo. Dhe të transmeton ndjenjën se nëse nuk ke një shkollim të mirë, mundësitë për punësim keqësohen përherë e më shumë”.

XS
SM
MD
LG