Lidhje

Kreu i NASA-s Çarls Bolden, me vizion të ri për agjencinë amerikane

  • Ardita Dunellari

Ish astronauti Çarls Bolden, tani kreu i Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, thotë se synon ta drejtojë këtë agjenci drejt një epoke të re. Zoti Bolden është afrikano amerikani i parë që mban postin e administratorit të NASA-s. Ai drejton një agjenci me më tepër se 18 mijë punonjës dhe një buxhet prej disa milliarda dollarësh.

Administratori i NASA-s, Çarls Bolden ka shkuar në një shkollë të Uashingtonit për t’i nxitur të rinjtë të mësojnë mirë matematikën dhe shkencën, dhe pas universitetit, të mendojnë për të punuar në NASA.

“Nëse jeni të interesuar për punë administrative; ne kemi në Agjenci nevojë edhe për mjekë, infermierë, juristë, specialistë të administatës dhe farmacistë.”

Çarles Bolden është administratori i 12-të i NASA-s dhe një nga detyrat e tij është të vizitojë shkollat, për t’i motivuar të rinjtë të mësojnë mirë.

"Gjithmonë u them fëmijëve, se është e rëndësishme të bëjnë tre gjëra. E para, të mësojnë mirë. Dhe ata më pyesin “Çfarë duhet të studjoj? ”Unë u them: “Gjithshka. Përqëndrohuni më shumë te shkenca dhe matematika, por mos harroni historinë, gjuhën dhe letërsinë.”

Në zyrat e NASA-s Bolden ka një ditë të ngarkuar; ai është duke planifikuar një drejtim të ri për agjencinë e hapësirës. Karriera e tij 16-vjeçare ka patur një cikël të plotë. Në fillim, ai ka qenë 4 herë astronaut ndërsa tani drejton këtë agjenci me buxhetin prej 18,6 miliardë dollarësh.
Bolden ia dedikon prindërve suksesin e tij.

"Nëna dhe babai gjithmonë më kanë thënë mua dhe tim vëllai se vetëm mendja dhe sjellja e njeriut kanë kufij, sepse ne mund të merreshim me se të donim në jetë".

Bolden thotë se nuk kishte ëndërruar kurrë të bëhej astronaut në vitet e fëmijërisë, në Kolumbia të Sauth Karolinës, ku ekzistonin shumë ndarjet racore. Por pasi përfundoi Akademinë e Marinës, ai u bë pilot i kësaj force dhe pati rastin të takojë Ron Meklerin, astronautin e dytë afrikano-amerikan që ka udhëtuar në hapësirë, në orbitë rreth Tokës. Ron Mekler u bë shembull për Boldenin, që të ndjekë rrugën e tij.

“Edhe në vitet 80, në NASA ekzistonin paragjykimet, por në përgjithësi ekipi i Agjencisë ka qenë jashtëzakonisht i mirë. Njerëzit vlerësoheshin në bazë të punës dhe të gjithë punonin shumë mirë.”

Bolden u nis për herë të parë drejt hapësirës ne vitin 1986. Por vetëm 10 ditë më pas ndodhi tragjedia, kur Mekler dhe 6 astronautë të tjerë humbën jetën, kur anija e hapësirës Çellënxher shpërtheu menjëherë pas ngritjes. Bolden u dëshpërua shumë dhe menjëherë pas kësaj, u bë shefi i NASA-s që mbikqyrte sigurinë dhe masat për kthimin e sigurtë të misioneve në Tokë.

"Pata rastin të shkoja në sektorin e sigurisë së NASA-s, ku u ngarkova me përgjegjësinë e riorganizimit, për ta siguruar publikun amerikan se nuk do të na ndodhte më kurrë një aksident si ai me anijen Çellënxher.”

Në vitin 1990, Bolden drejtoi anijen e hapësirës Diskavëri, në misionin e saj për instalimin e Teleskopit Habëll në Hapësirë. Që nga ajo kohë, ky mjet observimi ka kapur pamje mahnitëse të objekteve të largëta të Universit. Bolden thotë se ai ka një vizion të qartë për Agjencitë Amerikane të Hapësirës.

"Të kemi një program energjik dhe me imagjinatë për eksplorimin e hapësirës së largët, si për njerëzit, edhe për robotët, si dhe një program aeronautike, që të jetë i pashoq në botë".

Bolden thotë se synimi i tij tani është t’i frymëzojë amerikanët e rinj të ndjekin ëndërrat e tyre, siç bëri ai dikur dhe ta eksplorojnë hapësirën, për të parë mrekullinë dhe madhështinë e planetit Tokë.

XS
SM
MD
LG