Lidhje

Universiteti Tulane në Nju Orlins, një faktor i rëndësishëm për rimëkëmbje pas Katrinës


Universiteti Tulane në Nju Orlins, një faktor i rëndësishëm për rimëkëmbje pas Katrinës
Universiteti Tulane në Nju Orlins, një faktor i rëndësishëm për rimëkëmbje pas Katrinës

Ndërsa Nju Orlinsi përkujton tragjedinë që qyteti përjetoi pas Uraganit Katrina pesë vjet më parë, zyrtarë vendorë dhe udhëheqës të komunitetit po i bëjnë nderim të veçantë rolit që ka luajtur në rimëkëmbje një nga, siç quhen, margaritarët e kurorës së qytetit – Universiteti Tulane. Rektori Scott Cowen është i vendosur që universiteti të mbetet i përfshirë në rindërtimin e një qyteti, për të cilin ai thotë se është i pazëvendësueshëm.

Universiteti Tulane po përgatietj të fillonte semestrin e vjeshtës para pesë vjetësh, kur goditi Uragani Katrina dhe ujërat vërshuan 70 përqind të kampusit kryesor. Shumë njerëz druanin se Tulane, një nga universitetet private më prestigjioze në Amerikë, do të merrte një vit ose më shumë për t’u rihapur. Por rektori i universitetit, Scott Cowen, ishte i vendosur që profesorët dhe studentët të ktheheshin sa më parë që të ishte e mundur dhe Tulane e rimori veten dhe filloi nga puna semetrin tjetër.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Cowen tha se studentët jo vetëm që u kthyen për të studiuar, por edhe kanë ndihmuar për të restauruar qytetin e dëmtuar.

“Ata kanë dalë vullnetarë, çdo vit, për qindra e mijëra orë për të rimëkëmbur qytetin. Kemi, kurdoherë, nga 200 deri në 300 profesorë që punojnë në projekte të ndryshme në qytet me studentët e tyre.”

Ideja për të studiuar në një qytet ku mund t’i shërbesh së tepërmi komunitetit, është mjaft tërheqëse për studentët anembanë vendit, që duan të ndjekin studimet universitare. Zoti Cowen thotë se para se t’i godiste Katrina pesë vjet më parë, çdo semestër në Tulane aplikonin rreth 18 mijë kandidatë për 1.500 vende. Këtë vit, kishte 44 mijë studentë që donin të hynin në Universitet, numri më i madh i aplikantëve për cilindo universitet tjetër privat në Shtetet e Bashkuara.

“Ejani në Nju Orlins, mund të merrni përvojën e Nju Orlinsit. Vazhdoni të përfitoni nga arsimimi cilësor që do të mund ta merrnit edhe më parë, por tani ka edhe një element të tretë: do t’ju angazhojmë në komunitet në mënyra që universitetet tjera nuk kanë mundësi ta bëjnë. Do të përfitoni dhe do të keni një ndjenjë kënaqësie, arritjeje të rillë, që do t’ju mbetet për tërë jetën.”

Edhe universitetet e tjera në periferi e qytetit të Nju Orlinsit janë angazhuar për të ndihmuar komunitetin, por përmasat dhe prestigji i Universitetit Tulane e kanë bërë kontributin e tij veçanërisht të rëndësishëm. Kthimi i 11 mijë studentëve dhe më shumë se njëmijë mësimdhënësve dhe pjesëtarëve të personelit gjatë asaj periudhe kritike vetëm pak muaj pas Katrinës, e ndihmoi së tepërmi qytetin, popullsinë e tij, ekonominë, si edhe dhe gjendjen shpirtërore të banorëve.

“Edhe para Katrinës qyteti kishte shumë probleme, shërbimi me shëndetësor, arsimi publik, kishte lagje të braktisura dhe nuk po bëhej përparim në përpjekje për t’i zgjidhur këto çështje. Kur erdhi stuhia, rrafshoi gjithçka dhe na u desh, për shkak se s’kishim rrugë tjetër, të fillonim të mendonim për zgjidhje të reja për disa probleme të pazgjidhshme që kishim patur më parë si qytet.”

Shumë nga këto probleme mbeten akoma. Sipas një raporti të kohëve të fundit nga Instituti Brookings, shkalla e varfërisë në New Orleans është rreth 23 përqind; mesatarja kombëtare është 13 përqind. Pabarazia në të ardhura është po ashtu problem. Zezakët, sipas raportit të Institutit Brookings, kanë të ardhura 44 përqind më të pakta se të bardhët.

Strehimi është problem, sidomos për të varfërit. Para Katrinës, shumë njerëz banonin në shtëpi me qira të ulët ose në strehimore shtetërore, shumë prej të cilave tani nuk ekzistojnë më ose janë dëmtuar aq shumë, sa janë bërë të pabanueshme. Rreth katër mijë banorë të varfër mbeten pa strehim të përhershëm.

Por zoti Cowen, i cili shërbeu në komitetin drejtues që nxori raportin nga Brookings, thotë se është bërë përparim i dukshëm në shumë fronte. Ai thotë se cilësia e jetës në Nju Orlins është ngritur. Pagat mesatare janë më të larta, varfëria është pakësuar, ka qasje më të mirë në arsim dhe shëndetësi, si dhe më shumë nisma për të zhvilluar biznes.

XS
SM
MD
LG