Lidhje

Aktivistët bëjnë thirrje për ndjekjen penale të drejtuesve të BP


Aktivistët bëjnë thirrje për ndjekjen penale të drejtuesve të BP
Aktivistët bëjnë thirrje për ndjekjen penale të drejtuesve të BP

Zyrtarë të Rojes Bregdetare amerikane thonë se pajisja e vendosur mbi pusin e naftës në tabanin e Gjirit të Meksikës vazhdon të kapë një pjesë të naftës që rrjedh nga pusi dhe ta dërgojë atë në një mjet lundrues në sipërfaqe. Admirali i Rojes Bregdetare, Thad Allen tha sot në komentet për shtyp se kompania ka kapur 6 mijë fuçi nafte nga pusi në 24 orët e para që pas vendosjes mbi pus. BP përllogarit se çdo ditë nga pusi rrjedhin mesatarisht 19 mijë fuçi nafte. Admirali thotë se nafta vazhdon të rrjedhë nga të çarat e ventilimit të pajisjes. Ai thotë se kompania BP shpreson se do të arrijë t’i mbyllë të çarat sapo të ketë stabilizuar presionin e naftës në tubat që e transportojnë naftën në sipërfaqe. Ndërkohë, BP dhe administrata Obama janë vënë nën një presion në rritje nga opinioni publik lidhur me katastrofën ekologjike në Gjirin e Meksikës.

Përballë zyrave të BP-së në Uashington, protestues të revoltuar shfrenin zemërimin e tyre ndaj kompanisë dhe administratës amerikane:

“Puna që po bëjnë në Gjirin e Meksikës për të ndrequr situatën, nuk është e mjaftueshme”, thotë një aktiviste.

“Kemi bërë thirrje për një ndalim të të gjitha shpimeve në det”, thotë një aktivist.

Grupe që përfaqësojnë interesin publik organizuan protesta para zyrave të BP-së në kryeqytetin amerikan me thirrjet për ndjekjen penale të kompanisë. Këta demonstrues shprehin kritika të forta ndaj Shefit Ekzekutiv të BP-së, Tony Hayward.

Robert Weissman është president i grupit aktivist Public Citizen:

“Ai nuk ka reaguar si duhet ndaj shqetësimeve të banorëve të zonës. Ai nuk ka treguar vullnet të mirë për të marrë përsipër përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar nga BP. Ai duhet të mbahet përgjegjës. Qeveria duhet ta vërë Tony Hayward-in para përgjegjësisë. Qeveria duhet ta vërë kompaninë para përgjegjësisë”.

Ish-presidenti i kompanisë Shell thotë se BP-ja nuk ka zhvilluar fushatë të mirë marrëdhëniesh me publikun që kur ndodhi shpërthimi në platformë më 20 prill.

“Është shumë e vështirë të lësh një përshtypje pozitive. Është e vështirë të japësh një mesazh të qartë. Por mendoj se duhet të kishin bërë më shumë për t’u shpjeguar të gjithëve se mund të njihen nga afër me përpjekjet që po bëhen”.

Por BP ka filluar një fushatë reklamash për të theksuar motivet e saj të mira:

“Derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës është një tragjedi që s’duhet të kishte ndodhur kurrë. Tani BP ka marrë përgjegjësi të plotë për pastrimin e ndotjes”.

Derdhja e naftës ka paralizuar mënyrën e jetesës së shumë peshkatarëve në Gjirin e Meksikës. Ajo po kërcënon edhe florën dhe faunën e zonës.

Dje, Presidenti Obama shkoi për të tretën herë që nga aksidenti në brigjet e Gjirit.

“Dua t’ia bëj të qartë BP-së se ka detyrime morale dhe ligjore këtu në Gjirin e Meksikës për dëmet që ka shkaktuar”.

Tony Hayward i BP-së bën këtë premtim:

“Angazhimi ynë do të vazhdojë për shumë kohë pasi të jetë larguar vëmendja e medias, Roja Bregdetare dhe të gjithë të tjerët. Ne jemi të angazhuar të punojmë me komunitetet e Gjirit të Meksikës dhe t’u kthejmë përsëri mënyrën e jetesës”.

Skema kompiuterike tregojnë se si rrymat mund ta përhapin njollën e naftës drejt bregut lindor e ndoshta edhe drejt Evropës. BP thotë se rrjedhja e naftës do të ndalë vetëm pasi të hapen 2 puse të reja që do të ulin presionin. Procesi pritet të vazhdojë për disa muaj.

XS
SM
MD
LG